Analize

Vendimi i Kushtetueses në Shkup / Ligji për gjuhën shqipe ‘po trand’ shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Nga Megi Iskurti- Kur gjuha shqipe u hoq nga tabelat e sinjalistikës rrugore në mes të shtatorit, debatet në Maqedoninë e Veriut u rindezën sakaq.

Nuk u desh shumë që partitë shqiptare në opozitë të reagonin me tone të ashpra ndaj partive në koalicionin qeverisës dhe të kërkonin hetime lidhur me këtë zhvillim që e konsideruan një shkatërrim të arritjeve kombëtare.

Tabelat e vjetra u rikthyen shpejt por incidenti u asociiua me “Ligjin për zbatimin e gjuhëve” që do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese më 11 dhjetor.

Çfarë thotë ligji për përdorimin e gjuhëve?

Ky ligj i cili buron nga Marrëveshja e Ohrit, i miratuar në vitin 2018 për dygjuhësinë parashikon që gjuha shqipe të jetë zyrtare jo vetëm në komunat me të paktën 20% të popullsisë shqiptare, por edhe në nivel kombëtar.

Kërkesa për kushtetueshmërinë e tij u bë në vitin 2019 nga 13 iniciativa të nxitura nga qytetarë, shoqata dhe parti politike.

Ata pretenduan se ligji nuk ka fuqi pasi nuk mori firmën e presidentit të asaj kohe, Gjorgje Ivanov i cili e refuzoi dekretimin me argumentin se sipas tij, ligji ishte antikushtetues.

Prej asaj kohe, ligji ka mbetur në sirtar duke u bërë peng i akuzave të ndërsjella mes Bashkimit Demokratik për Integrim në opozitë që udhëhiqet nga Ali Ahmeti dhe partisë në pushtet VMRO-DPMNE-së, me në krye kryeministrin Hristijan Mickoski.

Pak ditë para marrjes së këtij vendimi, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski tha se me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika ka krijuar një kaos juridik dhe politik që solli shumë mosbesim dhe dilema.

I pyetur nëse Kushtetuesja do të shfuqizojë apo do ta lërë në zbatim ligjin, Kostadinovski tha se gjykata do të sjellë vendim të argumentuar dhe me bazë juridiko-kushtetuese.

“Mos e prekni gjuhën shqipe!”

Mickoski, i cili konsiderohet si nacionalist dhe për të cilin opozita është shprehur se ka frymë anti-shqiptare, ka deklaruar se do të presë me qetësi vendimin e Kushtuetueses.

Por sa më të qetë duken maqedonasit, aq më të trandur janë shfaqur shqiptarët.

Të shumta kanë qenë deklaratat e Ali Ahmetit i cili me nerv ka deklaruar se këtë ligj do ta mbrojë me çdo kusht.

“Mos e prekni gjuhën shqipe!”, u tha në një komunikatë të Frontit Europian (drejtuar nga BDI)  në të cilën theksohej se çdo vendim eventual në drejtim të cënimit të mekanizmave dhe të drejtave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, nuk janë asgjë tjetër veçse rikthim i Maqedonisë së Veriut në kohën para Marrëveshjes së Ohrit.

“Këto deklarata dhe veprime, janë skenaret e vërteta për destabilizim të vendit dhe tregojnë qartë se kush janë ata që dëshirojnë dhe provokojnë tensione”, theksoi Fronti Europian.

Po kaq i ashpër, Ali Ahmeti u tregua edhe ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti të cilin nuk e kurseu pas një mbledhjeje qeverie që ky i fundit pati me Mickoskin.

Në një deklaratë të trazuar që nxiti jo pak debate këtej e matanë kufirit, Kurti tha se nuk ka në Maqedoni të Veriut Ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe nuk ka patur as në të kaluarën.

“Ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve që e përmend shifrën 20%. Po ai nuk është ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, por përdorimin e gjuhëve”.

Ali Ahmeti që iu kundërvu kësaj deklarate duke cituar ligjin, tha se narrativa e Kurtit synon të minojë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe i kërkoi atij të tërhiqte deklaratën.

 “Më shqetësoi deklarata e kryeministrit të Kosovës! Dua të besoj që është i keqinformuar nga bashkë ish-partiakët e mi që shumica kanë qenë për Ligjin e Gjuhës. Nuk do të doja ta dëgjoja nga kryeministri i Kosovës se gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoni. Nuk do të doja ta dëgjoja”, tha Ahmeti ndërsa shtoi se gjuha shqipe atje do të mbrohet me çdo kusht.

A do të hapet ‘Kutia e Pandorës’?

Ndërkohë, partitë shqiptare të koalicionit "Vlen" që bën pjesë në koalicionin qeveritar e shikojnë nismën për mohimin e dygjuhësisë si një tentim për grusht shteti në Maqedoninë e Veriut.

"Vlen" theksoi përmes një komunikate se nëse një nismë e tillë eventualisht miratohet, atëherë hapet “Kutia e Pandorës“ dhe rrezikohen një sërë procesesh të arritura me shumë mund. 

Si Fronti Evropian edhe "Vlen" thonë se dilemat janë konsumuar dhe zgjidhur në institucionin më të larë ligjvënës, në Parlament me shumicë dërmuese votash.

“Trupi Koordinues i VLEN-it pa dashur të ndërhyjë në punët e Gjykatës Kushtetuese e vlerëson si të rrezikshme dhe të papranueshme nismën e tyre për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Ne vlerësojmë se kjo iniciativë, e cila buron nga forca të njohura për qëndrimet e tyre kundër NATO-s, nuk është asgjë më shumë se një përpjekje për grusht shteti me eksperimente juridike. Nëse një iniciativë e tillë pranohet, hapet Kutia e Pandorës për të gjitha arritjet kyçe të shtetit, duke përfshirë edhe ndryshimin e emrit kushtetues, i cili gjithashtu u realizua pa nënshkrimin e presidentit të atëhershëm, Gjorge Ivanov, e që mundësoi anëtarësimin në NATO. Një akt i tillë do të minonte stabilitetin dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërcënuar seriozisht orientimin e saj euro-atlantik.

 Koalicioni VLEN do të mbrojë me vendosmëri dhe pa kompromis integritetin e institucioneve të shtetit dhe interesat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, duke qëndruar fuqishëm kundër çdo përpjekjeje për të dëmtuar rrugën euro-atlantike të vendit” shkruhet në deklaratë.

Kadri Osmani: Ka një defekt në Kushtetutë për ligjet që dërgon Parlamenti

Ndërsa Gjykata Kushtetuese pritet të dalë shumë shpejt me një vendim, Zv. kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti në një dalje për mediat tha se përdorimi i gjuhës shqipe është e drejtë kushtetuese e patjetërsueshme.

“Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe në këtë frymë duhet të veprojë edhe Gjykata Kushtetuese. I referohem këtu gjykatësve maqedonas, sepse defekti më i madh është që kur u përmbyll marrëveshja e Ohrit dhe kur është bërë Kushtetuta e re kemi lejuar që ligjet që sillen me me votim të dyfishtë”, tha ai.

Zv. kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti në një dalje për mediat tha se përdorimi i gjuhës shqipe është e drejtë kushtetuese e patjetërsueshme.

Nga ana tjetër, Kadri Osmani, anëtar i Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, gjithashtu shqiptar tha se ka një defekt  në Kushtetutë për ligjet që dërgon Parlamenti.

Po zhvillohet një procedurë e ngarkuar dhe e dendur rreth debatit dhe çështjes së gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Konform amendamentit në Kushtetutën aktuale pranohet si një vlerë mjaft e rëndësishme çështja e gjuhës shqipe, që të sanksionohet dhe rregullohet me Kushtetutë, si gjuhë zyrtare në nivel të shtetit.

Pas miratimit të ligjit i cili u soll në 2019 filluan iniciativa se ligji nuk ka baza kushtetuese. Kontestohet gjuha shqipe si gjuhë zyrtare. Në seancën e 11 dhjetorit e bojkotojmë seancën e gjyqësorit dhe nuk do të marrim pjesë. Është defekt i Kushtetutës se për ligje që Parlamenti i sjell me shumicë të dyfishtë duhet vetëm një dispozitë në Kushtetutë se për ato ligje edhe për Gjykatën Kushtetuese duhet të zbatohet parimi i votimit të dyfishtë”, deklaroi ai.

A do ia dalë 'Roja e Gjuhës' të triumfojë për ligjin simbol të Marrëveshjes së Ohrit?

Kalicioni Fronti Evropian njoftoi më 8 dhjetor nisjen e iniciativës “Roja e Gjuhës”, një veprim që, sipas organizatorëve, synon të ndalojë “tendencat politike që minojnë Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit”.

Nga ky koalicion deklaruan se do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese në Shkup, deri në shqyrtimin e Ligjit për gjuhët.

BDI, ditë më parë, u dërgoi letra ndërkombëtarëve, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke kërkuar që si garantues të Marrëveshjes së Ohrit të ndërhyjnë për të parandaluar çdo vendim të mundshëm për shfuqizimin e neneve të Ligjit për gjuhët.

Në të njëjtën kohë, më 7 dhjetor, mbi 250 intelektualë shqiptarë nënshkruan një letër të hapur drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që kjo e fundit të veprojë me profesionalizëm dhe të shmangë vendime të motivuara politikisht. Sipas tyre, çdo vendim arbitrar mund të sjellë pasoja të rënda për marrëdhëniet ndëretnike në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë