Gazeta Si – Komisioni i Venecias ka shqyrtuar këtë të premte kërkesën e dërguar nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, lidhur me interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetutuse sa i përket mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka se si duhet të votojnë deputetët.
Sipas Kuvendit, opinioni i kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit, është miratuar nga Komisioni i Venecias, në mbledhjen e mbajtur sot më datë 6 dhjetor, në Venecia, Itali.
Më tej, zyra e shtypit të Kuvendit, thekson se opinioni do të botohet nga Komisioni i Venecias, sipas rregullave dhe procedurave të aplikueshme prej tij dhe deri atëherë, do të ruhet konfidencialiteti i plotë i dokumentit.
“Deri në datën e publikimit, Kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e kërkueses së këtij opinioni, do të vijojë të respektojë ruajtjen e konfidencialitetit të dokumentit në fjalë, siç ka bërë deri më sot, në zbatim të detyrimeve që përcaktohen në rregullat e punës së Komisionit të Venecias”, thekson Kuvendi në një njoftim zyrtar për mediat.
Opozita akuzon kryeparlamentaren Elisa Spiropali për mbajtjen e fshehtë të opinionit të Venecias për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka dhe përjashtimin e opozitës nga ky proces.
Gjatë pasdites, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike reagoi në lidhje me një lajm të publikuar që e cilësoi si “fake news” dhe i “prodhuar nga Zyra e Kyetares së Kuvendit”, ku paraqitet opinioni publik si qëndrim i Komisionit të Venecias apo “burim special e konfidencial” nga Komisioni i Venecias.
Prej dy vitesh, deputetja Olta Xhaçka akuzohet nga opozita se ka shkelur Kushtetutën, për një investim që bashkëshorti i saj ka bërë në jug të Shqipërisë si investitor strategjik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




