Nga Gazeta ‘Si’- Partia e Lirisë zhvilloi një tubim para Prokurorisë së Posaçme si shenjë proteste për burgosjen e ish-Presidentit, Ilir Meta ku u mblodhën disa dhjetra simpatizantë.


Qytetarët u mblodhën para godinës me disa pankarta ku shkruhej “Ndal burgimeve politike”.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përcolli një mesazh nga qelia i cili u lexua nga Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja.
Mesazhi i tij ishte i fokusuar në sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se synimi është që të goditet opozita, ndërsa favorizohen pushtetarët dhe “mbron korrupsionin e kryeministrit”. Hetimet ndaj tij, Ilir Meta i konsideron të turpshme dhe të manipuluara.
Ndërkohë në fjalën e tij sekretari i PL-së Tedi Blushi e akuzoi SPAK si shkatërruesin e reformës në drejtësi dhe që po mbron korrupsionin.
“Ky institucion me veprimtarinë e tij antikushtetues e antiligjore ka vrarë besimin e qytetarëve të drejtësia e shteti ligjor duke u bërë njësh me mafien në pushtet. SPAK është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve të lirë të ndershme patriotë për barazi para ligjit. Ky institucion prodhon padrejtësi, antiligj dhe antiarbitraritet. SPAK bunkeri i fundit i narkoqeverisë dhe po i jep imunitet korrupsionit skizofrenik. Jemi sot këtu, sepse SPAK-u është tubi i oksigjenit për narkoqeverisjen më të korruptuar në Europë dhe në botë. SPAK është mbrojtësi ligjor i krimit elektoral. Duke qenë shërbëtori i Ramës për asgjësimin e votës së lirë të shqiptarëve. SPAK-u është mbrojtësi më i madh i parave të pista, mbyll sytë para kullave të drogës dhe investimeve me para të pista që janë pak metra larg godinës. Është mbrojtës i korrupsionit shtetëror”, u shpreh Blushi.
Ai akuzoi Dumanin si mercenar më të verbër të rilindjes, që sipas tij ka mision persekutimin politik të opozitës.
“Është ky Altin Dumani që shkul një fshat të tërë për ta hetuar për një autokombajnë pa leje. Është një institucion mashtrues e montues procesesh të rreme me zero fakte e dokumente dhe zero prova ndaj liderëve të opozitës vetëm për llogari të narkomafies. Dumani është armiku i shtetit të së drejtës, lirive, dinitetit njerëzor të çdo shqiptari. Është mercenari më i verbër i rilindjes, misioni i të cilit është persekutimi politik i opozitës”.
Kësaj proteste nuk iu bashkua aleati Sali Berisha e zyrtarë të lartë të PD por gjithashtu munguan edhe disa eksponentë të vetë PL-së.
Në protestë ishin Erisa Xhixho, Tedi Blushi, Petrit Vasili, Lefter Maliqi, Genc Gjokutaj dhe Petraq Milo.



Por munguan Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti dhe Agim Nesho. Po ashtu as Monika Kryemadhi nuk iu bashkua protestës ndaj ish bashkëshortit të saj.
Ajo është Deputete e Partisë së Lirisë, por jo pjesë e strukturave të saj.
Ndaj Metës është caktuar masa arrest me burg, në kuadër të hetimit të SPAK për lobimin e LSI në SHBA dhe aferën Cez-Dia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




