Nga Gazeta ‘Si’- Në nisje të seancës plenare, Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi është përplasur me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropalin, lidhur me çështjen e mandatit për socialisten Olta Xhaçka, ku nesër pritet të zhvillohet seanca në komisionin e Venecias.
Bardhi iu drejtua Spiropalit duke e akuzuar se po mban draft-opinionin e fshehtë për deputetët e opozitës por Spiropali iu përgjigj duke thënë se nuk ka asnjë draft zyrtar, ndërsa theksoi se kur ta ketë në dispozicion do ta shpërndajë.
“Ju në shkelje të Kushtetutës vendosët dy herë të refuzonit zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese sa i takon ish-ministres së jashtme, Olta Xhaçka. Në cilësinë si Kryetare iu drejtuat për opinion Komisionit të Venecias. Të gjithë grupet parlamentare, kanë qenë të përfshirë në procesin e konsultimit nga Komisioni i Venecias.
Drafti iu është paraqitur ju zyrtarisht dhe në shkelje flagrante të pozicionit tuaj, ju keni bërë me dije Grupin e PS, ndërkohë që tre grupet e opozitës nuk i keni vënë në pozicion draftin që në këtë kemi mundësi përpara diskutimeve të çojmë komentet tona. Ju mund t’ju mos ketë pëlqyer, ndaj e keni mbajtur të fshehur, por e keni detyrim që atë draft opinion që komisionin jua ka kërkuar si autoritet kërkues dhe ti trajtoni të gjithë grupet në të njëjtën mënyrë.
Ndodh për herë të parë që delegacioni të përbëhet nga deputetë të mazhorancës. Gjithmonë përbërja ka qenë 4 anëtarë të kuvendit, 2 nga opozita dhe 2 nga mazhornaca. Dua të di, jemi shpallur armiq të popullit ne nga partia juaj në pushtet? Ka ndonjë motiv të caktuar?”, tha Bardhi ndërsa shtoi se draft-opinioni i është dërguar në email nga drejtori i komisionit.
Por Spiropali tha se mazhoranca nuk ka asnjë draft të komisionit të Venecias.
“Më jepni mundësi të bëj një sqarim. Nuk ka dokument zyrtar, sapo të vijë, do të ndahet sipas rregullave të komisionit të Venecias dhe jo të Shqipërisë. Shumica s’ka asnjë draft të komisionit të Venecias. Bëhet publik dhe deputetët do e kenë. Zoti Bardhi mos spekuloni. Unë do jem në seancë si kërkesë që kam bërë”, iu përgjigj Spiropali.
Gjithashtu Bardhi kërkoi interpelancë me kryeministrin Edi Rama, duke i bërë apel kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali që të ndalte seancën dhe të thërriste kreun e qeverisë.
Por, Spiropali u shpreh se për shkak të agjendës së Ramës interpelanca nuk mund të zhvillohet, duke shtuar se do të mbahet seancën e ardhshme parlamentare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




