Nga Gazeta ‘Si’ – Ish-kryeministri Sali Berisha iu është përgjigjur akuzave në Parlament se shiti Hotel Dajtin për t’u dhënë bonusin pensionistëve.
“Po në qoftë se e kam bërë për atë qëllim, kam bërë gjënë më të mirë”, tha Berisha i cili shprehu mirënjohjen për Bankën e Shqipërisë që bleu Hotel Dajtin.
Ai deklaroi se Banka e rikonstruktoi godinën dhe i ruajti origjinalitetin, teksa shtoi se është një ndërtesë që trashëgohet.
“Ia shitëm Bankës, i jam mirënjohës Bankës që e bleu, pavarësisht se ata e arrestuan Fullanin në verbëri, pa asnjë fakt për atë blerje, që ishte e tëra ligjore. Po kullë aty nuk do ndërtohej. Nuk mund ta merrnin oligarkët atë. Pra, u kishim dhënë paratë e Hotel Dajtit pensionistëve, sikur ua kishim dhënë armiqve të egër të shoqërisë shqiptare, jo njerëzve që në çdo rrafsh, asnjëherë nuk u del borxhit.
Nuk u del borxhit sepse janë prindër, janë gjyshër, nuk u del se janë prindër që kanë shkrirë jetën në këtë vend, nuk janë larguar, kanë punuar këtu. Nuk u del borxhit sepse në mënyrë të pamëshirë, krijon një diferencë të tmerrshme midis rrogës maksimale dhe pensionit të themi maksimal. Prandaj ne kemi bërë një gjë shumë të mirë. Keni bërë një gjë jashtëzakonisht të mirë”, deklaroi ai.
Një ditë më herët në Parlament zv.kryeministrja Belinda Balluku ironizoi fjalimet e opozitës pasi kjo e fundit akuzoi qeverinë për skemën e pensioneve.
Duke sjellë në vëmendje pensionet para dhe pas vitit 2013, ajo akuzoi opozitën se kur ishte në pushtet shiti hotel Dajtin për të gjetur lekët e bonusit të fundvitit për pensionistët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




