Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ishte në Fier të vijuar takimet këshilluese me prindërit për bllokimin e TikTok nga ku dha lajmin se “shkolla e riedukimit” do të kthehet në një institut.
“Kemi përfunduar një projekt për një institut për fëmijët në konflikt me ligjin. Është model demokratik i shkollës riedukimit, se riedukimi ka problematikën e vet. Është program që e mbështet BE, institut i minorenëve që kryejnë vepra penale të lehta ose të rënda që nëse do kishin mbushur moshën do ishin në burg”, shpjegoi kryeministri.
Rama tha se “t’i japësh fëmijës një telefon, është njëlloj si ta lësh të shoqërohet me ‘rrugaçin e lagjes’”, duke ritheksuar se në dhjetor përfundon plani për monitorimin digjital të shkollave.
Kreu i qeverisë shtoi se gjuha denigruese që paraqitet në TikTok kulmon në Kuvend.
“Jo një por disa nga prindërit duke folur për rrjetet sociale ngriti shqetësimin që presioni i jashtëm i këtyre lloj platformave, mbingarkohet në mënyrë të jashtëzakonshme edhe nga platformat mediatike brenda vendit. Nuk e sjell këtë këtu për të folur për mediat por për të kornizuar sfidën që ka sot një familje që ka sot edhe të rriturit që janë prindër përballë këtij presioni që rrit tensionin e konfuzionin edhe e bën më të vështirë të kesh qetësinë që duhet që të merresh me pjesën e më të vegjëlve në familje e shkolla. Edhe mësuesit janë nën këtë presion, një furtunë e madhe lajmesh shpesh gjysmë të vërteta. Një lum i madh njerëzish që flasin e zihen, një mënyrë komunikimi në mexhilis përmes ekraneve që është shqetësuese, dhe kulmon aty ku normalisht duhet të kishte si minimum një etikë komunikimi që është salla e Kuvendit. Në gjithë këtë vorbull hyjnë fëmijët që veç të tjerash jetojnë në dy botë komplet paralele, ajo e mediave dhe e klasës-shtëpisë dhe ekraneve të rrjeteve sociale. Për platformat ne nuk jemi persona, por mallra siç blemë ne në markete me kodet përkatëse, nga kjo vepron edhe algoritmi”, u shpreh ai.
Duke përmendur rastin e Australisë që ka ndaluar përdorimin eTikTok për fëmijët nën 16-vjec, Rama tha se mud të jetë efektive, por nuk është zgjidhja e duhur.
“Problemi tjetër është që nga pikëpamja teknike këto janë të pandalueshme plotësisht, edhe sikur të duash. Australia para dy ditësh kaloi ligjin e parë në botë që ndalon të gjitha rrjetet sociale për fëmijët deri në 16 vjeç. Por kanë mekanizmin se si ndalohet, megjithatë ndalimi është i mundur në një pjesë shumë të madhe. Një ulje e rëndësishme e fëmijëve që mund të kenë akses është i mundur, por kjo nuk është zgjidhja, kjo është një nga shumë elementët e lehtësimit, sepse mendoj se kështu si po shkon teknologjia një element ndalimi nuk ka. Asgjë nga këto nuk heq dot përgjegjësinë dhe peshën që ka ndërveprimi i të rriturve dhe fëmijëve në familje, dhe më pas vjen ndërveprimi mes familjes dhe shkollës; dhe vjen gjitha hapësira tjetër që ka rëndësi”, tha kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.