Politike

Berisha uron Ditën e Pavarësisë dhe sulmon Ramën: Komploton ditë e natë me Beogradin

Nga Gazeta 'Si'- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se kjo ditë është ‘festa e festave’ për vendin tonë.

"Më 28 Nëntor të vitit 1443 prijësi i përjetshëm i kombit Shqiptar ngriti flamurin e tij, flamurin Kuq e Zi në Krujë. Po në këtë datë të vitit 1944, nga Shqipëria u larguan pushtuesit e huaj dhe hyri si “çlirimtar” Enver Hoxha, i cili pasi shndërroi luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj në një luftë vllavrasëse, do të vendoste në Shqipëri si “Hitleri shqiptar” i Pas Luftës së Dytë Botërore diktaturën staliniste më mizore që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre.

Sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, ne nderojmë dhe i përulemi me mirënjohjen më të thellë flamurit tonë kombëtar, babait të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të saj. Nderojmë prijësin e përjetshëm të kombit tonë, Skenderbeun dhe qindra mijra shqiptarë që sakrifikuan jetën e tyre në të gjitha kohërat, për liri dhe dinjitet kombëtarë e njerëzor", shkruan Berisha.

Berisha në shkrimin e tij sulmon edhe kryeministrin Edi Rama, të cilin e akuzon për shpopullimin e Shqipërisë si asnjëherë më parë. Po ashtu Berisha thotë se Rama komploton me Beogradin ditë e natë kundër Kosovës.

Ai gjithashtu i bën thirrje shqiptarëve që të bashkohen për të rrëzuar sa më shpejtë Ramën nga pushteti.

"Por ne festojmë këtë ditë të madhe me diktaturën e narkoshtetit të Edi Ramës, “Pashiqit” të Tiranës, që po shkretëton dhe zbraz sa asnjë pushtim tjetër në histori Shqipërinë nga shqiptarët dhe që komploton ditë e natë me Beogradin kundër Kosovës. Le të na frymëzojnë n dita e Pavarësisë për të çliruar sa më shpejt Shqipërinë nga regjimi i “Pashiqit” të Tiranës.

Duke përfunduar, të dashur miq, le t’i urojmë ne mbarë shqiptarëve: Gëzuar Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë. Nderim për jetë, Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të Pavarësisë.

Nderim për jetë të rënëve të kombit tonë. GËZUAR!", shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë