Nga Gazeta 'Si'- Belind Këlliçi dhe Luan Baçi kanë qenë të parët që kanë reaguar nga radhët e opozitës pas heqjes së masës arrest shtëpie ndaj kreut të PD, Sali Berisha.
“Farsa ra!”, shkruan Belind Këlliçi, ndërsa shton: “Më në fund lirohet Kryetari i PD dhe Lideri i Opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha”.
“Berisha nuk mund të mbahet i burgosur”, ka shkruar Luan Baçi, ndërsa shkruan më tej: “Është radha jonë”.
“Kryetari i Partisë Demokratike, lideri opozitës, profesor doktor Sali Berisha, nuk mund të mbahet i burgosur, më në fund i lirë dhe në betejë në drejtim të popullit opozitar deri në fitoren e plotë të Partisë Demokratike! Është radha jonë!”, mbyllet postimi i Baçit.
Edhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar. Gjekmarkaj shprehet se fitorja e Donald Trump ka arritur edhe në Shqipëri.
Deputeti demokrat thekson se me lirimin e liderit të opozitës, Sali Berisha, era e ndyshimit po vjen në vendin tonë.
“Fitorja e Trump arrin dhe në Shqipëri! Lirohet lideri i opozitës Prof. Dr. Sali Berisha! Era e ndryshimit po vjen në vendin tonë!”, shkruan Gjekmarkaj.
Ndërsa Klevis Balliu shprehet se “u lirua ndryshimi”.
"Sot u lirua ndryshimi, shpresa për një Shqipëri si gjithë Europa.
Ditë e zezë për narkoshtetin.
Ditë e bardhë për Shqipërinë", shkruan ai.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi se revokimi nga GJKKO i masave kufizuese joproporcionale ndaj Sali Berishës është sipas tij vendimi i duhur ligjor dhe nën frymën, standardin dhe logjikën e vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese.
"Çdo ditë vonese do të ishte një sulm politik i drejtësisë ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës, me qëllim pengimin e aktivitetit politik të tyre në funksionalitet të plotë të betejës së opozitës.
Afërsisht 1 vit pengesë antikushtetuese e aktivitetit politik të Liderit të opozitës është mjaftueshmërisht e rëndë për të toleruar të bëheshin më shumë! Kjo është një fitore politike e Sali Berishës që luftoi, luftoi, luftoi dhe e fitojë!", shkroi Bardhi.
Edhe Jamarbër Malltezi, ka reaguar për lirimin e Sali Berishës nga arresti shtëpiak, duke thënë se ish-kryeministri është “burim frymëzimi dhe shkollë burrërie”.
"34 vjet që e sulmojnë nga shpifjet e sigurimit kur shkruajti i pari disa të vërteta të hidhura ndaj rregjimit kur ishte ende ne fuqi komunizmi, deri tek goditjet dhe granata e hedhur në Shkallnur. Burim frymëzimi dhe shkollë burrërie, qëndrese dhe përballje me të keqen pavarësisht çmimit. Me Zotin përpara dhe të vërtetën me vete nuk ta ndien për çdo përballje", shkruan ai.
Ndërsa Drejtuesja politike e PD për diasporën, Jozefina Topalli shkroi se arrestimi i tij ishte politik, një akt në shkelje të Kushtetutës dhe të çdo standardi të drejtësisë.
"Pa asnjë provë, ai u mbajt peng nga një pushtet që ka frikë nga zëri i qytetarëve dhe opozita e vërtetë.
Lirimi i tij sot është një dëshmi e forcës së të vërtetës dhe qëndresës. Por beteja nuk ka përfunduar! Rezistenca ndaj këtij regjimi të korruptuar vazhdon, dhe populli nuk do të ndalet deri në rikthimin e lirisë dhe drejtësisë në Shqipëri.
Forca e së drejtës është më e madhe se pushteti i padrejtësisë!” shkruan Topalli.
Sali Berishës ju hoq masa e arrestit të shtëpisë nga gjykata, ndërsa qëndronte i izoluar që prej 31 dhjetorit të vitit të kaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.