Politike

Protesta e opozitës, policia i kthen përgjigje PD: Bllokimi i rrugëve është vepër penale, do mbahet përgjegjësi

Nga Gazeta 'Si'- Policia e Tiranës ka reaguar për protestën e thirrur nga opozita ditën e sotme në kryeqytet, ku pritet bllokimi i 5 akseve kryesore rrugore. 

Policia e Tiranës ka bërë të ditur se PD ka kërkuar leje për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të kësaj të marte, megjithatë ajo tha se mbajtja e këtyre tubimeve në disa segmente rrugore krijon probleme.

“Organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në njoftim, Policia e Tiranës thekson se bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.

Policia njofton se për të ndihmuar qytetarët në rast bllokimi, do të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Akset që opozita ka kërkuar të bllokojë janë: Unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë