Politike

Socialistët dhe Celibashi takojnë Begajn, propozojnë 11 majin për zgjedhjet, Klosi: Të përgatitemi sa më mirë për votën e emigrantëve

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa opozita shpërfilli ftesën e presidentit Bajram Begaj për konsultimet për datën e zgjedhjeve, në zyrën e tij shkuan përfaqësuesit e Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi dhe kreu i grupit parlamentar Niko Peleshi.

Klosi, deklaroi pas takimit me Begajn se i ka kërkuar atij që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen më 11 maj, data e fundit që parashikon dhe kodi zgjedhor.

Sipas Klosit, arsyeja që zgjedhjet të mbahen në ekstrem të datës së lejuar, bëhet për të krijuar mundësinë që procesi i votimit të emigrantëve të organizohet si duhet, që të gjithë të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre.

“PS është e gatshme të ballafaqohet në çdo moment. Vota e emigrantëve një element i rëndësishëm. Për të pasur më shumë kohë, ne duam që data 11 maj të jetë data e zgjedhjeve. Do të donim që emigrantët të regjistroheshin dhe të përgatiteshin për votimin. Duke i dhënë mundësi çdo emigranti të votojë”, tha Klosi.

Edhe kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka propozuar të njëjtën datë.

“Ne rekomanduam tek Presidenti i Republikës që të jetë data 11, edhe pse kjo kërkesë mund të jetë e përputhur me kërkesën e dikujt tjetër, por nuk ka lidhje. Nuk shikojmë axhendën politike, por mundësinë që kemi në aspekt të kohës për të përgatitur zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi kreu i KQZ-së.

Orari për të takuar përfaqësuesit e PD-së ishte 10:30, ndërkohë në emër të Partisë Demokratike kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi deklaroi pak ditë më parë se do të refuzonte konsultimet duke i  akuzuar se ishin farsë, pasi sipas tij data e zgjedhjeve është paracaktuar nga socialistët. 

Më 21 nëntor presidenti pati takim me aleatin e PD-së, Partinë e Lirisë, që zgjodhën të pranojnë uljen në tryezën e Begajt për datën e zgjedhjeve. Ata kërkuan nga presidenti të dekretojë çdo datë që i lejon Kodi Zgjedhor, veç asaj që kërkon PS.

Enkelejd Alibeaj dhe përfaqësuesit e PSD kërkuan datën 4 maj si ditën kur shqiptarët të zgjedhin parlamentin e ardhëm, ndërsa Lulzim Basha shkoi te Begaj si përfaqësues i një grupimi politik, atij të demokratëve euro-atlantikë. Për të nuk ka rëndësi data, por standardi i zgjedhjeve.

Kreu i shtetit ka zhvilluar takime edhe me krerët e tjerë të partive të vogla opozitare që kërkuan zgjedhje më 4 maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë