Nga Gazeta 'Si'- Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, u bëri thirrje qytetarëve nga tryeza e Federatës së Opozitës që të marrin pjesë në protestën kombëtare nesër pasdite në Tiranë.
Noka u ndal tek takimi i djeshëm i kryeministrit Edi Rama me emigrantët në Londër ndërsa tha se ata sipas tij, i treguan vendin dhe e pritën siç e meritonte.
“Të nderuar aleatë, të nderuar zonja dhe zotërinj, zhvillojmë këtë takim me aleatët në kuadër të federatës opozitare 24 orë pasi emigrantët tanë në Londër e pritën siç meritonte Noc Rrokun që kemi ne për kryeministër.
24 orë pasi i treguan vendin se ai nuk mund të jetë më përfaqësuesi i shqiptarëve si njeriu që ka shpopulluar Shqipërinë, që ka varfëruar Shqipërinë, që e ka zhytur Shqipërinë në krim dhe korrupsion e drogë, nuk mund të përfaqësojë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, as shqiptarët që jetojnë në diasporë.
Dje, Edi Rama me falangat e krimit që angazhoi në Londër kundër diasporës tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe të qeverisë së tij kriminale. Tregoi edhe njëherë se mosbindja civile është rruga e vetme për t’i dhënë Shqipërisë paqe politike dhe sociale dhe një zgjidhje politike që do garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhuna e djeshme, por edhe dhuna e kohëve të fundit janë tregues të një qeverie që po jep shpirt, pasi po përpiqet vetëm me dhumë dhe terror të mbajë pushtetin”, tha Noka.
Ai foli edhe për dy rezolutat, e CDI dhe PPE që sipas tij theksuan se Shqipëria ka një narkoshtet dhe se opozitës i mohohen të drejtat e saj kushtetuese dhe ligjore.
“Këto dy rezoluta dënojnë burgosjen e lidershipit të PD-së dhe opozitës në përgjithësi, duke vënë theksin tek keqpërdorimi i drejtësisë së re politike si një drejtësi që po përdoret për të eliminuar opozitën e këtij vendi. Ndaj miq jemi mbledhur në këtë moment për të analizuar këtë situatë.
Jemi 24 orë nga akti tjetër i mosbindjes civile që e kemi deklaruar që do jetë nesër në ora 17:00 në Tiranë.
Ne do diskutojmë edhe hapin e nesërm, por do diskutojmë edhe një strategji se si do ecë kjo opozitë për të detyruar këtë regjim për t’i dhënë zgjidhje Shqipërisë.
Ndërkombëtarët me dy rezoluta folën qartësisht. Tashmë është radha jonë, është radha e opozitës, është radha e shqiptarëve që të flasin.
Nesër në ora 17:00 është radha e qytetarëve që Tirana të jetë nën pushtetin e tyre”, tha Noka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.