Nga Gazeta ‘Si’- Kryekomsioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se nuk ka asnjë rrezik që vota e diasporës në zgjedhjet parlamentare të dështojë.
Në një komunikim me gazetarët, Celibashi deklaroi se ky proces nuk po shkon drejt dështimit, por shtoi se ka disa problematika që duhet të adresohen dhe për këtë u bën thirrje partive politike që të ulen në diskutime.
“Përgjigjja ime është kjo, procesi i votimit nga jashtë nuk është në rrezik. Ka zero rrezik, nuk po shkon drejt dështimit. Ky proces sot nuk është në rrezik. Ka problematika që duhet të adresohen”, tha Celibashi.
Celibashi ka informuar partitë palët se kompanitë e shërbimit postar kërkojnë 30-45 ditë kohë për vajtje-ardhjen e fletës së votimit të emigrantëve prandaj ai shtron çështjen e zgjatjes së afatit përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Nëse kjo nuk realizohet, Celibashi thotë se gjithsesi do të realizojnë votën e emigrantëve, duke thënë se vota mund të vijë edhe me vonesë, një gjë të tillë e parashikon edhe ligji.
Celibashi tha për gazetarët se janë drejt finalizimit të procedurave që lidhen me përdorimin e platformës, për blerjen e platformës për regjistrimin e votuesve nga jashtë.
“Jemi drejt finalizimit të procedurave që lidhen me përdorimin e platformës, për blerjen e platformës për regjistrimin e votuesve nga jashtë. Në javën që vjen ky proces do jetë i finalizuar dhe do të merremi me aspektin teknik të ndërtimit të kësaj platforme. Do evidentojmë dokumentacionin dhe modelet zgjedhor që do përdoren për votimin nga jashtë. Po ndërtojmë fillimisht në letër gjithë infrastrukturën logjistike të këtij procesi për të cilin duhet ta them që është sfidë e vërtetë për KQZ dhe çdo ditë e më shumë bëhet sfidues ky proces. Është me rëndësi të thuhet që deri në momentin që flasim, çdo gjë dukshëm po kontribuon në realizmin me sukses të këtij procesi.
Jo pa qëllim thashë çfarë lidhet me KQZ, me përjashtim të aktit të fundit që ka të bëjë me procedurat e numërimit, dhe fletës së votimit, është akt që mori më shumë kohë për ta përgatitur dhe besoj sot ose nesër ia përcjell Komisionit Rregullator.
Çdo gjë tjetër është përmbushur nga KQZ. Brenda 1 jave dhe ky akt do jetë në fuqi, besoj se edhe Komisioni Rregullator do e miratojë. Sipas dispozitave aktuale, procesi i regjistrimit të kandidatëve dhe partive përfundon 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Teorikisht ekziston mundësia që ky proces për shkak të ankimeve të përfundojë 30 ditë para ditës së zgjedhjeve. Ne listën e kandidatëve e konsiderojmë që e kemi edhe 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Nga operatorët e shërbimit postar, është fakt, ne do duam të kemi 40 ditë në dispozicion. Kanë qenë tre operatorë, dy prej tyre emra të njohur, që kanë thënë të njëjtën gjë”, tha Celibashi.
I pyetur për datën e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, Celibashi tha se do të zhvillojë një takim me Presidentin Begaj, pas ftesës së këtij të fundit.
Ai deklaroi se sa s’më shumë kohë që të kenë në dispozicion, aq më mirë është për KQZ-në, por gjithsesi thotë se do përgatiten për çdo datë që do dekretojë presidenti.
"Sa i përket datës së zgjedhjeve, kemi marrë ftesë nga Presidenti për konsultim për caktimin e datës. Natyrisht sa më shumë kohë të kemi në dispozicion aq më mirë do jetë për KQZ. Është një çështje që i takon presidentit, çdo datë që i vendos ne do duhet të punojmë për realizmin e zgjedhjeve në atë datë”, tha Celibashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.