Politike

Data për zgjedhjet 2025 / Begaj vijon takimet me partitë, pret Tedi Blushin, Alibeajn dhe Bashën

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj po vijon konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve parlamentare 2025.

Begaj ka pritur sot në Presidencë, sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi pasi kreu Ilir Meta ndodhet në burg. Blushi shoqërohej nga deputetja Erisa Xhixho.

Begaj priti edhe Enkelejd Alibeajn si përfaqësues partisë së shpallur, por të paregjistruar, “Djathtas 1912” si dhe Lulzim Bashën.

Alibeaj dhe Blushi kanë vetëm një kusht, që zgjedhjet të mos mbahen në 11 maj, data që mendohet se preferohet nga socialistët.

“Edhe figura e Presidentit në këtë rast të mos bjerë në atë kurthin e vogël të politikës për t’u keqpërdorur ndaj në këtë pikë sugjerimi im do të ishte data 4 Maj”, tha Alibeaj.

“Për ne është e pranueshme çdo datë, përveç datës së caktuar nga Taulant Balla”.

Lulzim Basha zgjodhi që të mos i imponohet Kreut të Shtetit duke i lënë vullnet të lirë Begajt.

“Nuk është çështje dëshire, është e përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Data është atribut i Presidentit, standardet dhe procesi janë shqetësimi ynë”, tha Basha.

Shqetësimi i vetëm i tij lidhet me standardet. Ai mendon që Bajram Begaj e ka thirrur si përfaqësues i demokratëve që janë kundër Sali Berishës. “Në cilësinë e dikujt që përfaqëson një vullnet politik të tjetërsuar nga vendimi i gjykatës së Apelit.”

Një ditë më parë, Begaj priti kryetarët e partive të vogla opozitare, Fatmir Mediun e Partisë Republikane, Vangjel Dulen e PBDNJ, Dashamir Shehin e LZHK dhe Agron Duka e PAA.

Ata propozuan si datë më të përshtatshme 4 majin, duke thënë se zgjedhjet duhet të mbahen para zhvillimit të samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë.

Ndërkohë, Shpëtim Idrizi i PDIU ka propozuar që zgjedhjet të zhvillohen ose më 4 maj ose 11 maj, pasi sipas tij duhet lënë koha e nevojshme për të plotësuar modalitetet e votës së emigrantëve, por edhe të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për listat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë