Nga Gazeta 'Si'- Në një kohë që kryeministri Edi Rama premtoi dy bonuse në vit për pensionistët, kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se ky është një mashtrim.
Sipas tij, Rama edhe bonusin që premton e jep njëherë në katër vjet dhe kjo për efekt të zgjedhjeve.
Një Kryeministër i përgjegjshëm- tha Bardhi- nuk ka nevojë të shpikë rrotën, por të bëjë atë që bëjnë kryeministrat e vendeve të rajonit.
“Nuk ka asnjë surprize erdhi foli me veten, duartrokiti veten, kemi ngelur ashtu siç ka qenë.
Me pensionistët mendon se do i mashtrojë duke ndarë një buxhet minimal për t’i dhënë atë që quhet bonus i fundvitit. Ai është një shpërblim që çdo vend evropian e jep në shenjë solidariteti. Zotëria e bën një herë në katër vite. As bonusin e fundvitit nuk e ka vjetor. E ka dhënë në vitin 2022, për efekt të zgjedhjeve në 2021. Mendon se me këtë politikë do të gënjejë shtresën më në nevojë.
I dini ju sa janë pensionet në këto vende? Në Malin e Zi, pensioni minimal është 450 euro. Në Serbi është 388 euro, në Maqedoninë e Veriut është 406 euro, në Bosnjë është 369 euro. Po në Shqipëri? Është 183 euro mesatari. Ky vjen këtu dhe na flet përralla. Absolutisht nuk u bëri asnjë nder pensionistëve. Ato janë lekët e tyre. Pensionistët presin të kenë pensionin minimal sa në Malin e Zi, sa në Serbi etj”, tha Bardhi.
Mandej Bardhi iu përgjigj Ramës i cili e konsideroi opozitën 'mbeturinë.
"Ne jemi në këtë sallë për t'i shërbyer qytetarëve dhe interesit të tyre, prandaj nuk biem kurrë në nivelin tënd. Se kush është mbeturinë dhe se kush është i palarë që qelbet ere tre kilometra nga momenti ku është, atë e di çdo shqiptar, e di çdo koleg këtu në sallë dhe çdo njeri që të ka takuar ty.
Shko priji thonjtë, shko lahu, kurohu dhe pastaj hajde bëj kryeministrin e Shqipërisë", tha Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.