Politike

Zhupa: Çfarë kushtesh i keni krijuar Beqajt në burg që i duket Kuvendi çnjerëzor? Merrni masa për kërcënimet e tij

Nga Gazeta 'Si'- Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka ngritur tonet në foltoren e Kuvendit, ku tha se ligjvënësit opozitarë u kërcënuan nga ish-ministri Ilir Beqaj në Komisionin Hetimor.

Zhupa tha gjatë fjalës së saj se Kuvendi duhet të merrte masa për kërcënimet e Beqajt.

Ajo po ashtu i kërkoi llogari mazhorancës për kushtet që i kanë krijuar në burg Beqajt, pas ankesës së këtij të fundit që tha se ‘kushtet në Kuvend janë ç’njerëzore’.

“Ju nuk patët guximin të thoshit një fjalë si kryetare, le më ai kolegu që as e përmendi fare që kërcënohen deputetët në sallën e Kuvendit, me një njeri që na bëka edhe një status për kushtet ç’njerëzore të Kuvendit.

Çfarë kushtesh i keni ofruar ju atij në burg, që i duket Kuvendi ç’njerëzor dhe burgu parajsë? Se kemi parë shumë dokumentarë për trajtime të veçanta dhe për urdhërime vrasjesh nga burgu. Por Beqaj tha ‘zyrat e Kuvendit, ishin kushte ç’njerëzore’ për Beqajn, që vinte nga qelitë e paraburgimit.

Dhe vinte e na kërcënonte ne duke na thënë ‘mbylle gojën, qepe ti, ta tregoj unë ty, kush je ti’. Dhe ne duhet të vijojmë këtu normalitetin, pasi nuk kemi siguri në Parlament, pasi juve iu komandon Ilir Beqaj”, tha Zhupa.

"Zonja kryetare ju sot nuk keni moral të bëni këtë seancë plenare, të mbyllni atë komisionin hetimor. Duhet të kërkoni vënien menjëherë vënien para përgjegjegjësi së policëve të burgjeve. Polici i burgjeve tha nuk kam ku ta çoj, s’kemi mjete. Ne ishim në mëshirë të hajdutit 2 metra.

Unë kam telefonuar komandantin e Gardës për të sjellë një gardist atje dhe erdhi pasi ishte ëbrë sherri dhe ishim kërcënuar.

Ne përfaqësojmë interesin publik, ne jemi legjitimë. Ne jemi opozita e këtij vendi dhe do të hetojmë doni apo s’doni ju. Ne nuk na kërcënon dot Edi Rama, jo më Ilir Beqaj. Nuk bëjmë asnjë hap pas. Ju bëni çfarë të doni. Do na keni përballë dhe në betejë”, iu drejtua Zhupa Spiropalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë