Nga Gazeta ‘Si’- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se buxheti i MEPJ për vitin 2025 arrin në shifrat e 3.8 miliardë lekëve dhe është më i madhi i alokuar ndonjëherë për shërbimin e jashtëm.
Në Komisionin për Politikën e Jashtme, Hasani u shpreh se, “viti që po mbyllim ka shënuar përparime të rëndësishme në politikën e jashtme të Shqipërisë”.
“Hapja e negociatave për anëtarësimin në BE është një ngjarje historike që ka pasur ndikim të thellë në shërbimin e jashtëm të vendit tonë. Gjatë këtij viti ne kemi forcuar marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë dhe kemi rritur angazhimet në organizatat ndërkombëtare duke mbrojtur interesat e shqiptarëve kudo në botë”, tha Hasani.
Këto përpjekje, u shpreh ministri, “kanë kontribuar në konsolidimin e imazhit të Shqipërisë si një faktor stabiliteti si dhe një vend me potenciale për investime të huaja dhe zhvillimin ekonomik”.
Për të mbështetur këto nisma, vijoi ai, “ne kemi rritur praninë tonë diplomatike në rajon dhe vendet e të tjera duke hapur ambasada të tjera në Kiev dhe Baku si dhe Konsullata të Përgjithshme në Strugë dhe Ulqin”.
Kryediplomati shqiptar u shpreh se, viti i ardhshëm pritet të paraqesë sfida të tjera për shërbimin e jashtëm.
“MEPJ ka hartuar një projektbuxhet prej 3.8 miliardë lekësh. Buxheti më i madh i alokuar ndonjëherë për shërbimin e jashtëm. Ky buxhet do të financojë aktivitete të rëndësishme që lidhen me forcimin e marrëdhënieve me BE-në dhe partnerët strategjikë, angazhimin në nisma rajonale dhe forcimin e diplomacisë ekonomike dhe kulturore”.
Ai u shpreh se, disa nga objektivat kryesore për vitin 2025 përfshijnë avancimin e procesit të integrimit evropian, me qëllim përgatitjen për anëtarësim deri në vitin 20230, nëpërmjet reformave në institucione dhe në procese.
Një tjetër objektiv tha Hasani “është, pjesëmarrja aktive në nisma rajonale, ku përfshihet dhe Procesi i Berlinit apo Plani i Rritjes për të siguruar integrimin gradual të rajonit në BE, por që janë mekanizma që ndërthuren fuqimisht në rrugën drejt Brukselit”.
Padyshim një tjetër objektiv, theksoi Hasani, është mbështetja për Kosovën në procesin e njohjes ndërkombëtare dhe forcimin e kohezionit të faktorit shqiptar në rajon.
Sipas tij, buxheti 2025 është rritur me 635 milionë lekë, ose 20 për qind më shumë krahasuar me buxhetin aktual.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




