Nga Gazeta ‘Si’- Në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve të pranverës së 2025, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ngriti alarmin e kuq për financimin e partive, problematikë që vijon të nënvizohet në çdo raport post-zgjedhor.
Nga Komisioni “Xhafaj” ku po zhvillohej një tryezë diskutimi me ekspertë për parandalimin e korrupsionit politik, Celibashi tha se pikërisht adresimi i financimit te dyshimtë është pikënisja e zgjidhjes së problemit.
“Elefanti në dhomë është financimi i partive dhe kandidatëve, pasi mënyra sesi zgjidhen, apo krijojmë qeverisjen tonë varet edhe nga përcaktimi i cilësive të kësaj qeverisje, ndaj është me rëndësi të adresojmë financimin e partive politike, partive dhe kandidatëve, apo fushatave në përgjithësi.”
Celibashi kritikoi Kuvendin se pavarësisht se ndryshoi Kodin Zgjedhor disa muaj më parë, sërish la pa zgjidhur çështjen e financimit të partive, kandidatëve apo fushatave të tyre.
“Këto rekomandime, nuk u adresuan nga Kuvendi, çështjet që lidhen me rregullat e mekanizmit të financimit, vlerave të financimit, mekanizmit kontrollues nga palët e treta, rregullat mbi zhvillimin e fushatës zgjedhore në mediat online e rrjetet sociale nuk u rregulluan në amendimin e kodit zgjedhor. Po i sjell në vëmendje dhe ndoshta palët e interesuara do të gjejnë rrugën e ndryshimit të përshtatshëm.”
Në tryezën që Komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafaj po zhvillon me ekspertë, e disata e këtij lloji, e pranishme ishte edhe Avokatja e Popullit Erinda Ballanca e cila tha se nëpunësit civilë pezullojnë statusin e tyre për të bërë lirshëm fushatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.