Nga Gazeta ‘Si’- Kremlini ka mohuar të ketë patur telefonatë mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Në raportimet e Washington Post dhe Reuters thuhej se presidenti i zgjedhur i SHBA i kërkoi presidentit rus të mos përshkallëzojë luftën në Ukrainë dhe i kujtoi atij praninë e konsiderueshme ushtarake të Amerikës në Europë.
Sipas raportimeve, telefonata kishte ndodhur ditën e enjte, dy ditë pas zgjedhjeve.
Por orët e fundit Kremlini e ka mohuar për Reuters një gjë të tillë dhe zëdhënësi Dmitry Peskov tha se “Putin nuk ka plane specifike për të biseduar me Trump për momentin”. Telefonatën e supozuar ai e konsideroi trillim të pastër dhe lajm të rremë.
“Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Ky është trillim i pastër, është thjesht informacion i rremë”, tha Peskov. “Nuk ka patur asnjë bisedë. Ky është shembulli më i dukshëm i cilësisë së informacionit që po publikohet tani, ndonjëherë edhe në botime mjaft me reputacion”, ka thënë Peskov.
Të premten, Kremlini raportoi se ishte i gatshëm të diskutonte për Ukrainën me Trump, por kjo nuk do të thotë se ai ishte i gatshëm të ndryshonte kërkesat e Moskës – domethënë që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe të dorëzojë katër territoret aktualisht të pushtuara nga Rusia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.