Nga Gazeta 'Si'- “Kurrë ndonjëherë krimi nuk ka pasur përfaqësues më të fuqishëm dhe më të shumtë se në qeverinë aktuale të Edi Ramës”.
Kështu u shpreh kreu demokrati Sali Berisha në konferencën e së premtes me gazetarët sipas të cilit vetë Rama pohoi se ka qenë përdorues i Encrochat dhe se mund t’i dalë emri kund i cituar. Sipas tij përfaqësues tjetër i krimit është edhe Taulant Balla.
“Dihet se Edi Rama për përdorim SKY ECC, është denoncuar botërisht në mediat më të mëdha të botës, nga ish-partnerja e famëziut McGonigal, pasi ajo thotë se me bisedat e tij të gjata me SKY ECC nuk kishin të sosur me Edi Ramën. Por, përfaqësues tjetër i botës së krimit në qeveri është Taulant Balla Bego Yaris, një kriminel me dokumente i vërtetuar se është akuzuar për vrasje nga dëshmitarë në sallën e gjyqit. Me dokumente i vërtetuar se ka ndërhyrë në mënyrë intensive për t’u dhënë tendera bandave. Me dokumente i vërtetuar se ka liruar, ka urdhëruar Vath Stakën të lirojë vrasësit e Lulzim Kullës, terroristë që vendosën nën shalën e biçikletës tritolin për ta hedhur atë në erë, por edhe kalimtarë të tjerë”.
Berisha akuzoi edhe kreun e SPAK-ut Altin Dumani se po mban në sirtar dosjet e krimit në Shkodër, edhe pse sipas tij i di shumë mirë vrasësit dhe porositësit.
“Udhëtimi i Altin Dumanit në Shkodër ishte dëshmi e kthimit të kriminelit në vendin e krimit, sepse krimet e kryera në Shkodër të gjitha flenë në dosjet që mban në sirtar më i ligj njëqind herë se Nuredini, Altini i prokurorisë speciale. Pra, siç e shihni, kaluan 10 ditë. Ndonëse Shkodra e di shumë mirë edhe dorasin, edhe porositësin, por këto po i mbyll Altin Dumani, po i mbyll Mondi i Sulës, po i mbyll Proda i bandave, Hoxha i bandave dhe Edi Rama që i ka licencuar. E konsiderova të domosdoshme të paraqes para medieve dëshminë tjetër sot pas 10 ditësh asnjë pistë, sepse pista e vetme është shteti”, u shpreh Berisha.
"Goditja që i dha Trump ekstremizmit të majtë të Xhorxh Soros do vijë edhe në Shqipëri"
Berisha gjithashtu deklaroi se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane i dha një goditje të fortë ekstremizmit të majtë në SHBA, që sipas tij udhëhiqet nga filantropi Soros.
“Nuk ka dyshim se rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, më i jashtëzakonshmi në historinë e rikthimeve, shënon një arritje të madhe për kombin amerikan, i cili përjetoi këto vite agresionin sorosian dhe të ekstremit të majtë, të shprehur me politizimin e turpshëm, të skajshëm të drejtësisë, të financuar nga Xhorxh Soros. Me persekutimin ekstrem të kundërshtarëve politikë, të shprehur me agresionin ndoshta ndër më të mëdhenjtë në histori kundër identitetit të njeriut. Shpëtimtare për SHBA, por edhe për botën e lirë, ishte fitorja e Donald Trump dhe goditja që ai i dha monstrës së njerëzimit, Xhorxh Soros dhe doktrinës së tij. Shënon një rikthim të vlerave në SHBA. Amerika rikthehet në vlerat e saj dhe uroj që PD, një parti e madhe në histori të shpëtojë nga kthetrat në histori e një njeriu që ka kryer krime kundër njerëzimit, kryespekulatori dhe kryecensori i botës, Xhorxh Soros”, tha Berisha.
Lideri i selisë blu deklaroi se fitorja e Trump është motivim për Partinë Demokratike që të bëjë të njëjtën gjë në zgjedhjet e 2025, për të goditur edhe lidhjet e Soros në Shqipëri.
“Ndjehemi shumë më të motivuar sot që qëndruam kundër këtij Kovidi të moralit njerëzor. Nuk ka dyshim që kam besim të plotë se goditja që morën në SHBA ekstremizmi i majtë, i udhëhequr nga Xhorxh Soros, do vijë edhe në Shqipëri, pasi nuk do mbështeten më siç janë mbështetur. Ju lutem zotërinj, kujtoni vetëm Donald Lunë. Në kulmin e kanabizimit të Shqipërisë, dilte përkrah Saimir Tahirit dhe përgëzonte policinë për rezultate të shkëlqyera kundër drogës. A nuk ishte kjo një mbështetje e hapur për narkoshtetin, bazuar në doktrinën e Xhorxh Sorosit, që ndërmerrte rezoluta në OKB për të ndërprerë luftën kundër trafikimit të drogës? Dhe i njëjti njeri, kur do akuzohej nga antimafia italiane Saimir Tahiri me dokumente zyrtare, do u thoshte shqiptarëve se ju jeni mësuar me procese politike në kohën e komunizmit. A nuk ishte Juri Kim që riktheu në Shqipëri kulturën e mohimit me ekspozitat që bënte në kremtimin e 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane? Për ne nuk ishin habi se i kishim përjetuar në diktatura, por që t’i paraqiste ambasadorja amerikane, ishte turpi i dheut”, u shpreh Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.