Nga Gazeta Si- Mbledhja e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë ka nisur sot me një kërkesë të Partisë Demokratike për të shtyrë afatet, si edhe për të bërë edhe njëherë seancat që janë zhvilluar pa opozitën.
Deputetja e PD, Zheni Gjergji tha se Partia Socialiste i ka thirrur dëshmitarët në mënyrë të njëanshme dhe pa dakordësi me opozitën.
“U kërkoj kolegëve të maxhorancës që kanë zhvilluar seanca pa opozitën, ti bëjmë thirrje kryetares së kuvendit ta shtyjmë sërish këtë komision. Emrat ju i keni thirrur në mënyrë të njëanshme”, tha Gjergji.
Këtë e mbështeti edhe deputetja Ina Zhupa e cila tha se maxhoranca i pyeti dëshmitarët në mungesë të tyre sepse donin të ndërhynin në hetimin parlamentar.
Ndërkohë, kryetarja e komisionit, Albana Vokshi thotë se në ditët e fundit të komisionit, dëshmitarët po avullojnë.
“Po avullojnë dëshmitarët, tani që jemi në fund, kanë filluar të gjithë të sëmurën rëndë, sjellin raporte 10 ditore. Kemi dy dëshmitarë që ishin thirrur sot, Altin Biba thotë se ka marrë raport 10 ditor dhe nuk mund të paraqitet. Kemi dëshmitarë që duhej të kishin sjellë informacione dhe sot e kësaj dite nuk na kanë sjellë asnjë informacion”, u shpreh Vokshi.
Kërkesës iu përgjigj deputeti Plarent Ndreca i cili tha se nuk mund të shtyhet përsëri komisioni por ra dakord se dëshmitarët duhet të jenë prezent me çdo kusht, për aq kohë sa nuk kanë një arsye të justifikuar.
“Bie dakord që dëshmitarët duhet të jenë prezent për aq kohë sa nuk kanë arsye të justifikuara”, tha Ndreca i cili shtoi se përsa i përket seancave që opozita kërkon të ribëjë, “janë seanca ku prezent kanë qenë edhe përfaqësuesit tuaj dhe kishin gjithë mundësinë për të bërë pyetjet e tyre”, tha Ndreca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.