Politike

Dogjën karriget e Kuvendit, SPAK vendos të mos fillojë procedim për 23 deputetët e PD

Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria e Posaçme SPAK ka vendosur të mos fillojë procedimin për referimin e Policisë së Shtetit për 23 deputetët që dogjën karriget në oborrin e Kuvendit.

Prokuroria e Posaçme pas marrjes së këtij kallëzimi ka kryer verifikime dhe ka vendosur mos fillimin e procedimit.

Në atë kohë specialistët e sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Incidenti para Kuvendit ndodhi më 30 shtator kur opozita në shenjë mosbindje civile dogji karriget, ndërsa nga ana e policisë u mblodhën prova ku u vendos që kallëzimi të dërgohet në SPAK.

Sipas policisë, gjatë zhvillimit të seancës plenare të djeshme këta deputetë kanë kryer veprime të dhunshme duke dëmtuar foltoren e Kuvendit, kanë thyer një karrige dhe kanë hedhur sende të forta në drejtim të kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar. Gjithashtu kanë djegur disa karrige, në ambientet e jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

“Specialistët e sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1  referuan materialet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ngarkim të shtetasve, Flamur Noka dhe Gazmend Bardhi për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Goditjet për shkak të detyrës” si dhe për Bledion Nallbati, Dhurata Çupi, Flamur Hoxha, Xhelal Mziu, Lefter Gështënja, Agron Gjekmarkaj, Ina Zhupa, Lindita Metaliaj, Dashnor Sula, Luan Baçi, Lodovik Hasani, Asllan Dogjani, Helidon Bushati, Erisa Xhixho, Sorina Koti, Saimir Korreshi, Edmond Spaho, Kasem Mahmutaj, Vangjel Dule, Monika Kryemadhi, Isuf Çelaj për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, – thuhej në njoftimin e policisë pas incidenteve në Parlament.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë