Politike

Peleshi: Vendimi i Administratives i gabuar, hyri në kompetencat e Kuvendit, por ne s’do djegim karriget! 

Nga Gazeta ‘Si’–  Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me debate në lidhje me vendimin e Gjykatës Administrative, që ktheu në Kuvend deputetët e përjashtuar të PD.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi në fjalën e tij nga foltorja e kuvendit u shpreh se opozita duhet të mbajë një qëndrim në lidhje me vendimin e gjykatave: ose t’i zbatojë të gjitha ose t’i kundërshtojë të gjitha, duke mos mbajtur dy standarde.

Peleshi u shpreh se mazhoranca nuk është dakord në lidhje me vendimin e Administratives, për zbutjen e dënimit të përjashtimit nga Kuvendit të 24 deputetëve të PD, por tha se nuk djeg karriget në formë revolte.

Sipas Niko Peleshit, vendimi i gjykatës nuk ishte i drejtë, ndërsa theksoi se “gjykata ka hyrë në një territor që nuk i takon”

“Duhet të ndajmë mendjen se çfarë qëndrimi do të mbajmë për vendimet e gjykatave. T’i pranojmë apo jo.

Kjo sepse për shkak të një vendimi gjykate, ju dogjët karriget e parlamentit, tani për shkak të një vendimi gjykate jeni sot këtu. Edhe ne mund të mos jemi dakord, që një gjykatë administrative merr atributet e Kuvendit, por kemi një standard tjetër, pavarësisht flagrancës në vendim, ju sot jeni këtu dhe ne nuk po djegim karriget për t’u revoltuar ndaj vendimit.

Ne do ndjekim procedurën. Ky precedent që një Gjykatë Administrative merr atributet e organeve të Kuvendit, ne nuk jemi dakord, por kjo nuk do të thotë se do të djegim karriget, por do ndjekim procedurat.

Nuk mund të hyjë dot në vendimet kolegjiale të Kuvendit, sidomos masat disiplinore. Të mos djegim karriget por të ndjekim procedurën, sepse vendos një precedent të rrezikshëm, jo për ne dhe ju, jo për sot, por për nesër, kur ne të mos jemi. Ta lëmë këtë sot, të vazhdojmë në normalitet, të vazhdojmë punën tonë. Sepse jemi në sezonin më të rëndësishëm të punës së Kuvendit, seancë plenare për buxhetin. Nuk ka fushëbetejë më të përshtatshme për të mbrojtur vizionin e saj opozita”, tha Peleshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë