Politike

PD heq dorë nga ‘mosbindja civile’ në Parlament, Bardhi: Do rikthehemi për buxhetin

Nga Gazeta ‘Si’-  Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi pas mbledhjes së kësaj të marte se do t’i rikthehen jetës parlamentare për diskutimin e Projekt Buxhetit të vitit 2025.

Në përfundim të mbledhjes, kryetari i grupit, Gazment Bardhi tha se aksioni opozitar do të vazhdojë, por theksoi se grupi i PD do të jetë në një përballje intensive me mazhorancën për të diskutuar dhe debatuar për buxhetin.

“Deputetët e mazhorancës siç e kanë shfaqur në 12 vite të miratimit të buxhetit janë kartona që i shërbejnë interesave të Ramës dhe një grushti njerëzish pa patur në vëmendje pensionistët, fermerët, shtresat në nevojë.

Grupi parlamentar do jetë i angazhuar në një përballje intensive me mazhoracën gjatë gjithë procesit të diskutimit të projekt buxhetit 2025”, u shpreh Bardhi për gazetarët.

“Në rastin konkret aksioni i opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe aksioni i mosbindjes civile do të vazhdojë. Por shtuar kësaj, deputetët do të përmbushin përgjegjësitë e tyre si përfaqësues të qytetarëve. Kush ka menduar që opozita do t'i lërë terren Edi Ramës që të kalojë buxhetin e oligarkëve dhe jo të qytetarëve e ka gabim. Ne do jemi aty për të mbrojtur qytetarët”, tha më tej Gazment Bardhi.

Bardhi pati një përgjigje edhe për ambasadorin e BE Silvio Gonzato, i cili në seancën e shkuar plenare, në kohën që i dorëzoi progres-raportin e BE kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali ndërsa opozita protestonte jashtë godinës, u shpreh se PD duhet të bënte punën brenda Parlamentit.

“Gjej rastin të bëj publike sepse është deklaruar se deputetët e opozitës duhet të bëjnë punën brenda Kuvendit, deklarata qesharake, ne nga nesër do të jemi në Kuvend. Ata që deri dje na bënin thirrje të jemi në kuvend, të gjejnë guximin t'i bëjnë thirrje Ramës të bëjë detyrën”, tha Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë