Gazeta Si - Një prokurore federale e Belgjikës ka mbërritur këtë të martë në zyrat e SPAK-ut në Tiranë, ku pritet të zhvillojë një takim me kryeprokurorin Altin Dumani.
Sipas burimeve, mësohet se Ann Fransen ka mbërritur në kryeqytet për të ndarë bashkëpunimin me Prokurorinë e Posaçme në fushën e hetimeve të përbashkëta financiare për çështje të krimit të organizuar.
Falë bashkëpunimit me drejtësinë belge, SPAK ka në duar dhe nën hetim me dhjetëra dosje, ku të përfshirë janë shtetas shqiptarë të lidhur kryesisht me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Më herët, drejtësia belge dhe ajo franceze, kanë vendosur në dispozicion të SPAK të dhëna nga aplikacionet “SkyECC” dhe “EncroChat”, ku në Shqipëri janë arrestuar edhe deputetë, prokurorë apo shefa policie të lidhur me grupet kriminale.
Rasti i fundit është arrestimit i ish-deputetit Jurgis Çyrbja, emri i të cilit doli në përgjimet e rrjetit “Sky ECC”, ku akuzohet për disa vepra penale, para së gjithash në dekonspirimin e operacioneve të policisë për persona të kërkuar nga drejtësia.
Vizita e Ann Fransen në Tiranë, vjen një javë pasi Gjykata Brukselit shpalli 119 dënime për procesin “Encro”, një nga rastet më të mëdha të trafikut të narkotikëve në historinë e Belgjikës, me dënime që variojnë deri në 17 vjet burg dhe konfiskime masive.
Pas një procesi që zgjati 16 muaj, 115 individë dhe katër kompani u shpallën fajtorë për akuza që përfshijnë pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, trafikimin e narkotikëve dhe armëve, si dhe përpjekjet për shantazh dhe rrëmbim.
Në mesin e të dënuarve, të kombësive të ndryshme ka edhe shtetas shqiptarë dhe kosovarë, përveç se kolumbianë, belgë, ukrainas apo nga Afrika e veriut.
Njëri prej tyre, shqiptari Eridan Guerrero Munoz, i cili u dënua me 14 vjet burg për drejtimin e laboratorëve të kokainës në Belgjikë, me tonelatat e drogës që vinin nga Amerika Latine.
Hetimi i quajtur “Encro” u bazua në deshifrimin e komunikimeve të koduara në EncroChat dhe Sky ECC, që çoi në zbardhjen e aktiviteteve të një organizate të gjerë kriminale.
Prej dekadash grupet kriminale shqiptare kontrollojnë në Belgjikë në rang drejtuesish trafikun e drogës, që importohet nga vendet e Amerikës Latine dhe më pas shpëndahet në të gjithë Europën.
“Shqiptarët me të vërtetë zënë pozicionet kyçe”, thotë Komisionerja Kombëtare në Luftën Kundër Drogës, Ine Van Wymersch.
“Ata lidhin marrëveshje në rrugë me grupe të tjera, të cilët shpesh janë me origjinë nga Afrika e Veriut dhe punojnë vetëm së bashku, sepse ka shumë para për të fituar në tregtinë e drogës”.
Shqipja ishte – pas anglishtes – një nga gjuhët më të përdorura në rrjetin "Sky ECC". Hetuesit belg janë të bindur se, “selia e mafies shqiptare, është në Belgjikë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.