Nga Gazeta ‘SI’ – Të dhënat për pasagjerët që udhëtojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë do të filtrohen dhe organizohen nga SIP, Sektori i Inteligjencës së Pasagjerit, një njësi e re pranë Policisë së Shtetit.
Sipas një dokumenti që ministria e Brendshme ka nxjerrë për konsultim, thuhet se SIP është i vetmi autoritet që mund të përpunojë të dhënat e pasagjerit.
SIP do të marrë menjëherë nga kompanitë e transportit, të dhënat e pasagjerëve. Drafti parashikon afatet e transmetimit të të dhënave ku të dhënat paraprake jepen 48 deri në 24 orë për rastet e kompanive të fluturimit dhe 180 minuta deri në 60 minuta para nisjes si dhe pas imbarkimit. Për transportuesit detarë të dhënat paraprake janë po kështu 48 orë-24 orë ndërsa ato të imbarkimit jepen direkt pas përfundimit
Të dhënat e regjistrit të rezervimit të pasagjerit, grumbullohen dhe përpunohen nga SIP, si dhe shpërndahen apo shkëmbehen me autoritetet kompetente operative, me qëllimin e vetëm parandalimin, zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të veprave.
Duke qenë se SIP do të jetë nën kupolën e Policisë së Shtetit, edhe kostot e saj do të përballohen nga buxheti për policinë.
Të dhënat mund të aksesohen nga SPAK, Doganat, SHISH, Agjencia e Inteligjencës Financiar etj, por edhe nga autoritet ndërkombëtare në kuadër të marrëveshjeve për bashkëpunime operacionale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.