Nga Gazeta 'Si'- Partia e Lirisë kërkon emrat e punonjësve të policisë që arrestuan Ilir Metën.
Në një deklaratë për mediat sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi bëri të ditur se i kanë paraqitur një kërkesë ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ilir Proda, ku u kërkohet vënia në dispozicion e emrave që sipas tij “rrëmbyen kreun e PL-së”.
Për këtë kërkesë Blushi thekson se i kanë lënë afat deri më 7 nëntor për përgjigje zyrtare nga Ministria e Brendshme dhe drejtoria e Policisë, në të kundërt sipas tij do të mbajnë përgjegjësi penale.
“Të na vini në dispozicion brenda datës 07.11.2024 emrat e të gjithë skuadrës së pretenduar policore. Emrat e personave që kanë urdhëruar dhe kanë udhëhequr këtë operacion kriminal. Nëse brenda datës 07.11.2024 nuk na përcillni emrat e personave, për të vijuar me përgjegjësinë personale të atyre personave që kanë dhënë urdhër dhe kanë ekzekutuar në mënyrë barbare një vendim gjyqësor në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me parimet ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut, do të jeni Ju personi që do të mbajë përgjegjësi penale për konsumim të veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzmi i krimit” dhe për bashkëpunim në kryerjen e veprave penale”, thuhet në kërkesën e PL-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.