Nga Gazeta 'Si'- Ilir Meta ka ankimuar në Apelin e GJKKO masën "arrest me burg" të caktuar ndaj tij për hetimet e lobimit të LSI në SHBA, si edhe skandalin CEZ-DIA.
Në të njëjtën ditë, edhe ish-gruaja e tij, deputetja Monika Kryemadhi, ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO-së për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Kryemadhi kundërshton masën e vendosur ndaj saj me kërkesë të SPAK.
Sa i takon ish-presidentit, kërkesa e tij u depozitua nga avokati mbrojtës, Genc Gjokutaj, i cili tha për mediat se një masë e tillë nuk qëndron, pasi Meta është ka qenë gjithnjë në dispozicion të drejtësisë.
Gjokutaj ka paralajmëruar se përveç kundërshtimit të masës “arrest në burg”, do të bëjë edhe një kallëzim për sa i takon veprimeve të Forcës Operacionale të Policisë së Shtetit gjatë ekzekutimit të vendimit të gjykatës.
Në një deklaratë për mediat ai tha se po investigojnë për akuzat e ngritura ndaj ish-kreut të shtetit.
“Meta ka qenë në dispozicion të hetimit. Dhe nga pikëpamja e dyshimit të arsyeshëm, mund të them pa frikë që është një vendim thashethem. Janë kërkuar letër porositë, treçereku ka ardhur me përgjigje me negative. Bëjnë lidhje që blera është blerë në këtë orë. Është një vendim që bazohet në hamëndësime, ndërhturje me hamëndesëim i rrethanave të caktuar. Të të tre procedimet, ju do e shikoni në të ardhmen, situata është krejt tjetër. Deputetët e PL kanë depozituar një kërkesë drejtorit të policisë dhe ministrit në lidhje me një informacion për arrestimin. Kallëzimin e kemi gati për ta depozituar. Të shohim përgjigjen”, deklaroi Gjokutaj pas daljes nga SPAK.
Kujtojmë që më 23 tetor, Gjykata la në fuqi masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të caktuar ndaj bashkëshortes së Ilir Metës, deputetes Monika Kryemadhi, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.
Ndërkohë, u zëvendësua masa e sigurimit personal ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.