Politike

‘Gati të shkoj në SPAK’. Rama: S’çuditem po të dal në bisedat e Sky. Berisha-Meta, armiq të reformës në drejtësi. (Shpjegon biletën në NBA)

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, nga studioja e Opinion natën e kaluar deklaroi se është i gatshëm të shkojë në SPAK nëse e thërrasin dhe sipas tij, vajtja në Prokurorinë e Posaçme nuk është fajësim.

Rama u shpreh jo pak krenar për reformën në drejtësi për të cilën deklaroi se u realizua nga Partia Socialiste pavarësisht rezervave të amerikanëve dhe europianëve në fillim.  

Sipas tij, kjo është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që persona të lidhur me pushtetin politik janë marrë në hetim, janë akuzuar e janë prapa hekurave.

“PS ka krijuar një mitraloz që godet dhe majtas dhe djathtas”

“Përgjegjësia morale e imja është të bëj gjithçka kam unë në dorë që ky vend të bëhet me drejtësi. Përgjegjësia ime morale është që pushteti politik të tërhiqet nga ndikimi në drejtësi”, tha Rama i pyetur për personat e marrë në hetim nga SPAK.

“Që kur reforma ka nisur të zbatohet, për herë të parë persona të lidhur me pushtetin politik janë marrë në hetim, janë akuzuar, janë prapa hekurave. Nuk ka ndodhur kurrë kjo në historinë e vendit. Nuk kontrollojmë ne dhe nuk ndikojmë ne në fuqinë që ia kemi dhënë me gjithë fuqinë tonë. Kemi krijuar një mitraloz ta pavarur që godet majtas, djathtas afër meje larg meje”- tha Rama.

“Nuk çuditem po të dal dhe unë në bisedat e Sky ECC dhe Enrochat”

Rama deklaroi se përgjimet e marra nga EncroChat dhe Sky ECC u takojnë organeve ligjzbatuese që t’i hetojnë.

Ai tha se aty ka me qindra mijëra mesazhe të botës së errët, por i takon Prokurorisë së Posaçme që t’i provojë dhe më pas ndëshkojë personat përgjegjës. 

“Kjo historia e Encro Chat-eve dhe Sky ECC është një histori që i takon organeve ligjzbatuese ta hetojnë. Aty ka me qindra mijëra mesazhe ku çfarë nuk thonë e çfarë nuk tregojnë. Por ato s’duhet të thonë asgjë deri në momentin kur çfarë thotë njëri që “isha atje, takova atë të gjatin”, po marr rastin tim edhe pse s’ka dalë, por nuk çuditem edhe po të dalë. ‘Takova atë të gjatin’, ‘më tha ai i gjati shiko, se këtu…’ Këto janë muhabete kot”, – tha Rama.

Çyrbja / “I lehtësuar kur një eksponent i PS që ka bërë zullume zbulohet nga drejtësia”

Teksa po fliste për reformën në drejtësi, Rama foli edhe në lidhje me arrestimin e ish-deputetit të PS Jurgis Çyrbja, i cili nga hetimet e drejtësisë rezultoi se ka bashkëpunuar me grupet kriminale që të ishte në listën e sigurt për zgjedhjet parlamentare.

Për kreun e qeverisë, këto janë broçkulla, ndërsa u shpreh se ndihet i lehtësuar kur eksponentë të PS zbulohen se kanë bërë zullume dhe me ta merret drejtësia.

 “Nuk është bërë hetim i treti apo i pesti. Këto janë broçkulla. Nuk është aspak e pamundur që në një vend se i yni njerëzit të dinë diçka paraprakisht dhe të fillojnë ta përdorin. Ai është subjekt sot i drejtësisë për një temë që e ka sqaruar vetë organi që ka vepruar ndaj tij.

Kush mbulohet me flamurin e PS për të bërë zullume të zbulohet. Unë ndihem i lehtësuar kur dikush që ka marrë mandat nga PS, dikush që ka marrë besim nga unë e ka shpërdoruar dhe ekspozohet nga drejtësia. Unë ndihem i lehtësuar”, deklaroi Rama.

“Berisha e Meta, armiq të Reformës në Drejtësi për hallet e tyre personale”

Rama foliedhe përproceset gjyqësore të nisura ndaj drejtuesve të opozitës, ndërsa u shpreh se ata nuk gjykohen për opinione por për fakte konkrete që janë hetuar nga organi i akuzës.

“Dora e ligjit nuk të vjen për opinionet e tua dhe qëllimet e tua politike por të vjen me disa fakte dhe këtu na dalin ca para e prona që nuk duhet të ishin në xhepin e tyre dhe duhet të japin shpjegime. Por këtu flitet sikur këto personazhe janë marrë peng kot dhe nuk ka asnjë bazë thjesht kot se flasin”, tha Rama.

“Ky është muhabet kafenesh sepse as njërin, as tjetrin nuk i kam marrë unë t’i vë thesin në kokë e t’i çoj në ndonjë bodrum. Ata janë në të drejtën e tyre të ngrenë prentedime se janë në hall shumë të madh me drejtësinë dhe këtë hall e kanë nuhatur që kur u bë Reforma në Drejtësi”, tha Rama.

Ndaj sipas tij, ata kanë qenë armiq të Reformës në Drejtësi, udhëheqës të fronit kundër Reformës në Drejtësi e sabotatorë në çdo hap kundër Reformës në Drejtësi

Arrestimi i Metës/ “Nuk komentoj çështjet e drejtësisë”

Për herë të dytë që pas konferencës së përbashkët me presidenten e Komisionit Europian Von der Leyen, Rama zgjodhi të mos komentonte arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta.

Ai përsëdyti qëndrimin e tij se Meta është një subjekt i drejtësisë dhe se nuk do e komentonte këtë rast.

Ai theksoi se Policia e Shtetit arreston subjekt të drejtësisë sipas rregullores së tyre.

“Ke gjetur njeriun e gabuar. Asnjë koment është një subjekt që merret drejtësia. Asnjë koment nuk kam. Policia e Shtetit nuk varet nga unë. Unë nuk drejtoj policinë, ka drejtues dhe protokolle, operacione. Unë nuk bëj komente për një subjekt të drejtësisë. Po ju lë juve që ta trajtoni si viktimë në studio”-tha Rama.

Megjithatë përballë insistimit mbi dosjen Meta-Kryemadhi, por duke u ndalur dhe te dosja që vazhdon të mbajë në arrest shtëpie kryedemokratin Berisha, Rama i quajti hallexhinj të drejtësisë.

“Më vjen shumë keq po zonja është në hallin e vet dhe unë me njerëz që janë në hall të madh nuk debatoj”, tha Rama.

“E dija që çështja Babale është një fabrikim i ndyrë”

Rama e cilësoi një lajm shumë të mirë vendimin e Gjykatës së Apelit për të dënuar me 1 vit burg ish-deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, për “kallëzim të rremë” për çështjen “Babale”.

Ai tha se u përdor mandati i deputetit për të degjeneruar publikisht kundërshtarin politik.

“Jo nuk është për arsye deklaratash, është për një arsye shumë të rëndë dhe këtë mund ta komentoj, pasi është një vendim përfundimtar dhe një vendim përfundimtar mund ta komentoj”, tha Rama i pyetur se Salianji u dënua për disa deklarata.

“Nuk është për deklaratë është për formën më të rëndë të shpifjes që është krijimi i rrethanave të kallëzimit të rremë, është për një çorientim të qëllimshëm të të gjithë popullit shqiptar me muaj të tërë me një telenovelë të stisur, me njerëz që kanë luajtur role për të goditur kundërshtarin politik për shkak të detyrës duke e degjeneruar publikisht”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se ai e dinte se çështja “Babale” ishte një fabrikim “i ndyrë dhe se priti 6 vite të shohë këtë rezultat”.

Bileta për ndeshjen në NBA/ “Ftesë nga një mik pa lidhje me Shqipërinë”

Rama u pyet edhe në lidhje me akuzat e opozitës për një biletë basketbolli ku kreu i qeverisë ka parë një ndeshje të NBA-së.

Rama tha se bileta në fjalë ka qenë e rezervuar nga persona që e bëjnë këtë për vite me radhë. Ai u shpreh se nuk ka asnjë biletë të marrë apo të blerë. Rasti, sipas tij, është njësoj si ta ftonin në restorant apo në kafe.

Kur u pyet se kush është personi që e ka ftuar, Rama tha se është një mik pa lidhje me Shqipërinë dhe nuk ka arsye ta deklarojë sepse nuk është dhuratë, por një ftesë, njësoj si ta ftonin në restorant apo kafene.

“Unë as kam marrë biletë, as kam parë biletë, as kam vënë njeri të blejë biletë, as ka blerë njeri biletë. Në SHBA vendet e rezervuara janë në të gjitha llojet e sporteve. Rezervohen nga njerëzit jo thjesht për vete që të shkojnë çdo herë, por edhe për të ftuar miq siç ftohen në restorant, siç ftohen në kafe.

Unë me dhuratat e marra kam krijuar një muze në kryeministri dhe çdo dhuratë që vjen për mua regjistrohet si pronë e Republikës së Shqipërisë. Dhe vetëm në ora në vlerë që janë të regjistruara si pronë e Republikës së Shqipërisë bëhet fjalë për shuma shumë të mëdha. Pra që të jemi shumë të qartë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë