Politike

Bisedime me opozitën? Rama: Kur duhet të vallëzosh, duhen 2 vetë. Dialogu përmes gjuhës, jo muskujve

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama u përgjigj pas mesazhit të ambasadorit të BE, Gonzato për dialog konstruktiv politik gjithëpërfshirës.

Rama tha se është opozita ajo që ka përjashtuar veten nga dialogu politik dhe kjo nuk ka të bëjë me veprimet e shumicës ndaj saj.

“Problemi është që kur duhet të vallëzosh, duhen dy vetë. Dhe nuk hidhet vallja nëse të dy nuk duan ta hedhin vallen. Ndjehen të përjashtuar, më vjen shumë keq, është vetëpërjashtim absolut pa asnjë bazë faktike të lidhur me qëndrimet tonë. Është zgjedhja e tyre legjitime. Jemi vend i lirë, demokratik, secili bën zgjedhjen e vet. Edhe zgjedhja për të vrarë veten... politikisht, është legjitime, nuk e ndalojmë dot. 

Kur ishim ne në opozitë, dërgonim letra për të folur, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ndërkohë që tani situata është ndryshe. Por diskutimet bëhen përmjet gjuhës, jo përmes krahëve, këmbëve, gjokseve. Kjo është shumë e thjeshtë”.

Ndërsa Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi se dhuna dhe ndërprerja e punës së Kuvendit nuk janë rruga e duhur për t’u angazhuar në dialog.

Gonzato tha se shpreson që të gjendet një rrugë për të riangazhuar opozitën, duke theksuar se duhet gatishmëri nga të dyja palët, jo vetëm nga mazhoranca.

"Do të keni dëgjuar që në mënyrë konstante kur jam pyetur për situatën publik, duke pasur parasysh rëndësinë e reformave, që janë shoqërore, jo për të shënjuar në kutizë, por për të ndryshuar mënyrën si funksionin shoqëria. Kjo është e rëndësishme që opozita të ulet në tryezë. Jam përpjekur ta lehtësoj këtë gjë. Suksesi i Shqipërisë është pronësi e gjithkujt, jo e shumicës apo opozitës.

Nuk mendoj se dhuna dhe ndërprerja e mbarëvajtjes së veprimtarisë është mënyrë. Ka mënyra të tjera për t’u angazhuar në dialog politik, që mbështet në ndryshimin e pikëpamjeve, shpresoj se do gjendet një rrugë për ta riangazhuar opozitën. Kjo kërkon edhe gatishmëri dhe angazhim nga të dyja palët, jo vetëm nga ana e qeverisë", tha Gonzato. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë