Politike

Rama: Ky ishte Progres Raporti më pozitiv i të gjitha viteve për Shqipërinë!

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri Edi Rama vlerësoi progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë si “dokumentin më të mirë ndërkombëtar për Shqipërinë”, që sipas tij pasqyron realisht ku ndodhet vendi ynë.

“Është dokumenti më i plotë, më i detajuar dhe më i besueshëm ndërkombëtar që Shqipëria merr dhe mbi të cilin ne referohemi, fjali për fjali, në kuptimin e plotë të fjalës. Sepse është i vetmi raport ndërkombëtar që bazohet vetëm në fakte, jo në perceptime, jo në sondazhe dhe që i referohet fakteve nën dritën e parimeve dhe standardeve të funksionimit të institucioneve ndërkombëtare dhe shteteve anëtare”, tha Rama teksa mori progresraportin e vitit 2024 nga ambasadori i Be në Shqipëri, Silvio Gonzato.

“Më vjen shumë mirë që marrim raportin më pozitiv të të gjithë këtyre viteve dhe normalisht i tillë, sepse e tillë është dhe ecuria e vendit dhe konferenca e dytë ndërqeveritare afirmoi këtë”, shtoi ai.

Më tej ai u ndal në disa prej pikave të raportit.

Përtej të gjitha polemikave të brendshme, raporti bën një vlerësim të lartë të zbatimit të reformës në drejtësi dhe thekson se kjo reforma ka çuar në përmirësime të ndjeshme të drejtësisë në vend. Patjetër, ka pika të caktuara që duhen adresuar dhe ka ende boshllëqe që duhen mbushur.

Me shumë të drejtë, vlerëson punën e SPAK vazhdimësinë e rezultateve, avancimin në ndjekjen përmes hetimeve të thelluara të rasteve të korrupsionit, përfshirë ato me profile të larta politike dhe zyrtare.

Së dyti, raporti konfirmon vazhdimin e rritjes ekonomike të vendit dhe përgatitjen e mëtejshme të Shqipërisë për një ekonomi tregu funksionale në bazë të parimeve dhe kushteve që garanton BE në çdo vend anëtar të tij.

Rritja ekonomike ka qenë e fortë siç thotë raporti, po ashtu mbështetja e kësaj rritje në turizëm është një fakt.

Raporti vlerëson performacën fiskale të vendit, rënien e deficitit dhe uljen e borxhit publik dhe thekson se sektori financiar është i qëndrueshëm. Ne jemi nxënës ambiciozë në këtë proces", tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë