Politike

‘SKAP-i, një nga anëtarët e puçit të shtetit’, Noka: Po instalohet monizmi

Nga Gazeta 'Si'-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka vijoi edhe njëherë akuzat ndaj mazhorancës se po përpiqet të instalojë monizmin në Shqipëri, diçka që sipas tij nuk do të lejohet nga opozita.

Noka nënvizoi paraqitjen në SPAK të deputetes demokrate Elda Hoti, në lidhje me incidentin e dy javëve më parë në sallën e Kuvendit, ku hodhi një lëndë të dyshimtë.

Ai tha se Struktura e Posaçme është bërë pjesë e puçit të shtetit dhe për këtë arsye populli ka të gjithë të drejtën të reagojë.

“Vazhdon regjimi t’i shpallë luftë opozitës. Siç e shikoni salla duhet të ishte e hapur për deputetët. Elisa Spirogjoka dhe Sulltani i kanë shpallur luftë opozitës dhe kanë vendosur që monizmi të mbretërojë. Ne jemi në një betejë pa kthim për demokracinë dhe pluralizmin. Nuk do të tërhiqemi pasi përfaqësojmë popullin opozitar.

Në këtë sallë nuk janë vetëm patronazhistët dhe dillerat e drogës. Përfaqësuesit e popullit opozitar trajtohen si armiq. A mund të pranojmë ne instalimin e monizmit. A mund të pranojmë ne që Shqipëria të trajtohet si plaçkë nga qeveria? A mund të pranojë opozita që Shqipëria të shpopullohet? A mund të pranojmë që vendi të qeveriset nga krimi i organizuar?

Fakti që Elda Hoti thërritet në SPAK tregon se policia që drejtohet nga nipi i Enver Hoxhës nuk ka asnjë tagër të shkelë brenda sallës së Kuvendit. Brenda këtij territori është Garda. Narkopolicia nën dirigjimin e narkopolicit Proda ka kallëzuar deputeten pse ishte në një aksion të mosbindjes civile. SKAP-i në vend që të hetojë Policinë për dhunën ndaj deputetëve, si një organizatë e regjimit, në kundërshtim me ligjin thërret deputeten. SKAP-i një nga anëtarët e puçit të shtetit”, tha Noka


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë