Nga Gazeta ‘Si’-Garda e Republikës ka rrethuar godinën e Parlamentit me një gardh metalik, në prag të seancës së kësaj të enjteje.
Masat janë marrë pas përplasjeve të dhunshme të javëve të fundit, mes deputetëve të opozitës dhe efektivëve të Gardës dhe Policisë së Shtetit. Në seancën e të hënës, deputetët e përjashtuar të opozitës vendosën të mos paraqiten, por të përgatisnin protestën e një dite më pas, ku bashkë me protestues të shumtë bllokuan disa akse të vendit.
Ndërsa deputetët që u futën në Parlament nuk shkaktuan trazira por vetëm bllokuan foltoren duke mbajtur në duar pankarta me mesazhe në anglisht kundër qeverisë socialiste, drejtuar ndërkombëtarëve.
Dy javë më parë, mes gardistëve dhe deputetëve të opozitës pati përplasje të forta, për shkak se nuk lejoheshin të futeshin në sallë deputetët e përjashtuar.
Para nisjes së seancës, deputetët e Partisë Demokratike zhvilluan një mbledhje grupi. Por ndryshe nga kolegët e tij, deputeti më i ri, Andrea Mano, i cili zuri vendin e Ervin Salianjit të dënuar, ka vendosur të shkojë në vendin e ri të punës, i shoqëruar nga kolegu socialist i qarkut të Korçës, Ilir Pendavinji.
Ndërkohë jashtë ambienteve të Kuvendit, ndodhen forca policie të cilët janë në gatishmëri në rast se protestuesit që do të jenë para Bashkisë së Tiranës, do të shkojnë te Kuvendi, njësoj siç ka ndodhur dy javë në parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




