Nga Gazeta ‘Si’- Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri nuk arriti të miratonte një rezolutë të përbashkët, pasi opozita votoi kundër.
Shkak për këtë, sipas PD, u bë refuzimi që mazhoranca u bëri të gjitha amendamenteve të propozuara nga ajo.
Sipas Gazment Bardhi, opozita nuk është kundër BE, por kundër mazhorancës që refuzon çdo propozim të opozitës.
“Grupi Parlamentar i PD-së do të votojë kundër rezolutës. Kjo jo se opozita është kundër procesit të integrimit, por për shkak se mazhoranca refuzon çdo propozim tonin. Propozimet kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit dhe mbajtjen e zgjedhjeve te lira e të ndershme”, tha Bardhi.
Pjesë nga diskutimet, gjatë takimit të 18-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri :
Kryesuesi i delegacionit të PE: Kolegë, nëse nuk votoni tekstin përfundimtar të rezolutës do të jetë sinjal negativ për Këshillin dhe do të ketë impakt negativ për negociatat e ardhshme. Nëse doni të ndihmoni anëtarësimin në BE, unë mendoj se duhet të votoni pro, pavarësisht se respektoj mendimin kundër.
Bardhi: Faleminderit shumë. E kemi publik dhe me votë, mbështetjen ndaj procesit të integrimit, por nuk mund të votojmë pro një rezolute ku nuk pasqyrohet asnjë prej amendamenteve të opozitës, që në këndvështrimin tonë japin pasqyrë reale të situatës në vend. Në këtë kuptim, detyrohemi të votojmë kundër, por nuk do të thotë se nuk mbështesim procesin e integrimit. Por rezoluta e përbashkët, nëse do të jetë, duhej të pasqyroheshin në atë tekst shqetësimet e opozitës.
Eurodeputeti italian: Dua t’u them kolegëve shqiptarë që ne kemi patur një shkëmbim të dobishëm me ju dhe kemi parë që ka dallime në mendime. Por jemi te pika ku duhet të bëjmë një përmbledhje dhe t’i çojnë në Bruksel dhe Strasburg. Nëse PD voton kundër dhe rezoluta nuk miratohet do të çonte mesazh negativ. A mund t’u kërkoj ju lutem të bëni abstenim? Kjo do të tregonte se ka dallime të ndryshme.
Tabaku: I dëgjova me interes përfaqësuesit e PE. Do të doja që kjo thirrje të ishte dhe për mazhorancën për amendamentet tona. Mund të kishim gjetur dakordësi, por ajo jepet nga ata që menaxhojnë pushtetin. Vota jonë vjen si rezultat i hedhjes poshtë të amendamenteve të opozitës nga mazhoranca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




