Gazeta Si – Nga rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, Ivi Kaso deklaroi se opozita është e vendosur për të përfunduar në mënyrë qytetare bllokadën e sotme të rrugëve kryesore të vendit, ndërkohë që policia u kujtoi me megafon protestuesve se bllokimi i rrugëve është vepër penale.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, u pyet nga gazetarët nëse do të ketë përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Ai u përgjigj duke thënë se “ ne nuk kemi arsye për t’u frikësuar përplasjes me policinë, për sa kohë ne nuk provokojmë të parët”.
“Jemi treguar të kujdesshëm që, pavarësisht kësaj mënyre jo shumë të zakontë proteste, të lajmëronim qytetarët që të merrnin masa për të qarkulluar paraprakisht. Besoj që në një pjesë të madhe kjo është arritur. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të gjithë opozitarët që janë të vendosur për të përfunduar në mënyrë qytetare këtë bllokadë. Shpresoj që deri në përfundim të kësaj proteste, jo më para se ora 20:00, të mos shënohen përplasje. Deri tani konstatojmë se policia ka marrë masa për të devijuar në akse të tjera trafikun”, tha Kaso.
“Policia do të procedojë penalisht organizatorë dhe qytetarë, nuk kemi dyshim. E ka bërë këtë në çdo protestë. Do të donim që Policia e Shtetit të tregonte të njëjtin zell sa herë që kryeministri për çdo aheng vendos të bllokojë qarkullimin normal”, shtoi Kaso.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.