Rend dhe Ligj

Durim Bami, kërkesë autoriteteve në Dubai: Mos më ekstradoni në Shqipëri, më rrezikohet jeta

Gazeta Si - Durim Bami, i arrestuar për herë të dytë në Dubai, i ka kërkuar autoriteteve gjyqësore atje që të mos ekstradohet në Shqipëri me pretendimin se i rrezikohet jeta.

Sipas burimeve paraprake, avokatët e të shumëkërkuarit prej SPAK, i kanë renditur autoriteteve në Emiratet e Bashkuara emrat e personave që sipas tij duan ta vrasin në Shqipëri.

Gjithnjë sipas burimeve, këta emra, i kërkuari i ka marrë prej dosjes “Metamorfoza”, ku protagonistë të krimit të organizuar bënin plane ta eliminonin. Bami u arrestua në Dubai teksa ishte nën shoqërinë e familjes si një i kërkuar prej SPAK.

“Më rrezikohet jeta, - ka pretenduar Durim Bami. - Unë nuk akuzohem për vrasje, ata që janë brenda apo në kërkim janë për vrasje”.

45-vjeçari, i cili prej muajsh fshihej në Emiratet e Bashkuara ra sërish në prangat e policisë në Dubai, vend ku u arrestua dhe në muajin qershor të këtij viti. Pas prangosjes së tij, Interpol Tirana ka dërguar menjëherë kërkesë për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

I dyshuar në shumë ngjarje të rënda kriminale në Shqipëri, emri i Durim Bamit doli në komunikimet e zbërthyera të aplikacioneve SKY dhe EncroChat.

Nga bisedat e verifikuara nga SPAK, rezulton se ai ka krijuar kushtet për vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka, Hektor Xheçukës dhe Erigers Mihasit.

Emri i tij përfshihet dhe në kultivimin e lëndëve narkotike në zonën e Krujës. Mbi këto akuza, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë.

Gjithashtu, po në këtë dosje del në pah se vetë Bami ka qenë në shënjestër të disa grupeve kriminale, të cilat pavarësisht përpjekjeve nuk kanë mundur ta eliminojnë fizikisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë