Nga Gazeta 'Si'- Ish-kryeministri, Sali Berisha ka kritikuar ashpër reformën në drejtësi, duke e cilësuar atë si një dështim të madh për sistemin gjyqësor në Shqipëri.
Në një konferencë për mediat, Berisha i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe vendeve partnere të rishikojnë mbështetjen për një drejtësi të cilën ai e cilësoi “të kriminalizuar” dhe nën kontrollin e plotë të qeverisë shqiptare.
Berisha theksoi se, që prej reformës, ka ndodhur një përkeqësim dramatik në të drejtat civile dhe drejtësinë penale, duke sjellë si shembull rënien e Shqipërisë nga vendi i 55-të në vendin e 101-të për të drejtat civile. Po ashtu, sipas tij, Shqipëria ka humbur vendin e saj më të favorshëm edhe në fushën e mosndërhyrjes së qeverisë në vendimet civile, ku para reformës pozicionohej në vendin e 65-të, ndërsa sot renditet në vendin e 110-të.
Në drejtësinë penale, Berisha tha se Shqipëria ka rënë nga vendi i 46-të në vendin e 92-të, duke humbur 46 pozicione. “Ky është një tregues dramatik i shndërrimit të drejtësisë në një degë ekzekutivi,” u shpreh ai.
Për më tepër, Berisha shprehu shqetësimin për ndërhyrjen e qeverisë në drejtësinë penale, duke përmendur se Shqipëria ka humbur pozita të rëndësishme, duke u renditur pas shteteve si Vietnami, Bangladeshi, dhe Nigeria.
Në fund, Berisha i bëri thirrje Parlamentit Europian dhe Komisionit të Venecias të rishikojnë reformën e drejtësisë, në mënyrë që qytetarëve shqiptarë t’u garantohet një proces ligjor i drejtë, dhe drejtësia të shkëputet nga ndikimi politik, duke u kthyer në një sistem të mbështetur vetëm në ligj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.