Politike

Komisioni Anti-Korrupsion, Xhafaj: Gati drafti analitik në tre fusha, do konsultohet edhe me negociatorët e BE

Nga Gazeta ‘Si’- Fatmir Xhafaj, është shprehur se janë në fazën e parë të punës për ngritjen e Komisionit Antikorrupsion, ndërsa tha se kanë gati drafin e parë analitik në tre fusha; mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit.

“Jemi të fazën e parë të punës për ngritjen e komisionit të posaçëm anti-korruopsion, të hartimit të dokumentit analitik. Kemi një draft të parë të analizës në tre fusha, mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit, duke u mbështetur kryesisht në rekomandimet e BE si dhe një sërë raportesh zyrtare vendase dhe ndërkombëtare.

Në dosjet që kam sjellë me vete është një material qindra dosjesh dhe përmbledhjet do të jenë publike në faqet ueb të komisionit dhe do t’i nënshtrohen një procesi konsultimi.Njoftimet dhe transmetimet publike do të bëhen në faqe ueb të komisionit.

Në vijim është menduar të organizohen forume e dialogu qytetar, me fokus një sërë çështjesh të ndjeshme, përfshirë nevojën për një qeverisje vendore më të mirë dhe parandalimin e korrupsionit.

Ky draft do të konsultohet me grupet e interesit, përfshirë dhe institucionet shtetërore dhe agjencitë ekzekutive, veçanërisht ne negociatorët e BE për fushat respektive, për të vlerësuar përputhshmërinë e vlerësimeve, gjetjeve dhe problematikave të konstatuara me angazhimet e shtetit shqiptar në kuadrin e negociatave Së fundmi, ky draft dokument analitik do tu jepet ekspertëve ndërkombëtar për të marrë vlerësime e tyre”, tha Xhafaj.

Ai theksoi rëndësinë e një procesi të gjerë konsultimi, ku janë planifikuar 12 tryeza diskutimi me përfaqësues nga grupe të interesit, biznesi dhe profesionistë të fushave të ndryshme.

“Drafti fillestar do të konsultohet me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë për të siguruar përputhshmërinë me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe legjislacionin. Në përfundim të këtij procesi, versioni i përditësuar do t’i dorëzohet Komisionit Anti-Korrupsion për diskutime dhe miratim të mëtejshëm”, tha Xhafaj.

Xhafaj theksoi gjithashtu nevojën për angazhimin e ekspertëve të nivelit të lartë, të cilët do të funksionojnë si të pavarur, duke nënvizuar përfshirjen e 670 ekspertëve të propozuar nga institucione të pavarura, universitetet, shoqëria civile dhe biznesi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë