Politike

Kreu i AKSK: Sulmet vijnë nga Irani e Rusia sa herë ka trazira në Ballkan! Portalet s’kanë rregullator për dezinformimin

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) Igli Tafa deklaroi se sulmet në Shqipëri vijnë kryesisht nga Irani dhe Rusia.

Në Komisionin e Dezinformimit ai deklaroi se sulmet përgjithësisht ndodhin sa herë që ka trazira në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në veri të Kosovës.

“Kryesisht dezinformimin e marrim nga Irani, por dhe nga grupe të lidhura me Rusinë dhe gjithmonë ndodh sa herë ka trazira në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në veri të Kosovës, që shoqërohet me një propagandë apo dhe me sulme kibernetike nga grupe ruse”, u shpreh ai.

Ai shpjegoi edhe procedurat që ndjek institucioni.

“AKSK ka një qasje proaktive në fazat e saj dhe një iniciativë të re, që është struktura ndërinstitucionale për inteligjencën kibernetike. Ne kemi si qëllim që të gjitha informacionet që publikohen qoftë në mediat e vendit tonë apo në mediat e huaja, që parashikohen rrezik për sigurinë kombëtare të vendit, të analizohen nga kjo strukturë, që është një grup ndërinstitucional”, tha Tafaj.

Ai shtoi se kjo duhej vendosur edhe me ligj dhe të bëhej një strukturë e përhershme, me qëllim që të funksiononte më mirë dhe të parandalonte çdo sulm të jashtëm apo të brendshëm kibernetik. Ai ngriti edhe çështjen e problematikave me dezinformimin në disa media dhe kryesisht portale.

“Këtë duam ta vendosim në ligj, që nga një strukturë e përkohshëm ta kthejmë në një strukturë të përhershme që do të analizojë të gjitha këto lajme që afektojnë drejtpërdrejtë apo indirekt Shqipërinë. Duke parë këtë informacione të kuptojë sa është rreziku që i kanoset Shqipërisë”, tha ai.

Më tej Tafa pëmendi disa raste të dezinformimit që janë publikuar në media, duke rrezikuar stabilitetin e vendit.

“INSTAT u godit nga Irani në 1 shkurt 2022 dhe propaganda që u hap në mënyrë të shpejtë ishte që u prek CENSI, gjë që nuk ishte e vërtetë. Edhe pse nuk kishte asnjë gjurmë të prekjes, me bazë shkencore dhe bazë faktesh, përsëri kjo propagandë u përhap në mënyrë të shpejtë. Rasti tjetër ka qenë i një banke të nivelit të dytë në fund të 2022. U përhap paniku pas sulmit të Iranit se kjo bankë kishte falimentuar dhe nuk mund të tërhiqnin më paratë, edhe këtë dolëm dhe e sqaruam, por kaluam një situatë shumë të vështirë”, tha Tafa.

Më tej shtoi se përballen çdo ditë me sulme të tilla, deri tek ato me kompanitë e fluturimeve.

“Lajme të tilla ne ndeshemi për çdo sulm kibernetik. Një tjetër rast ka qenë me Air Albania ku jepej informacion sikur paneli i pilotit ishte marrë nga hakerat, ishte një imazh dezinfomures dhe plotësisht e pavërtetë i nxjerrë në mediat sociale dhe portale”, tha ai.

Por sulmeve dezinformuese, edhe nga mediat, nuk i ka shpëtuar as Policia e Shtetit, sipas Tafës:

“Një rast tjetër ka qenë ai i Policisë së Shtetit në fund të qershorit, ku u keqinterpretua në disa gazeta për fatin e keq, në një rast edhe në një TV, ku propagandohej se policia e shtetit ishte goditur, kur nuk ishte fare e vërtetët. Policia thjesht kishte bllokuar shërbime të panevojshme, i kishte mbaruar cikli i tyre”, dëshmoi ai në Komision.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë