Gazeta Si – Pasi vizitoi në bllokun e sigurisë në burgun 302 në Tiranë Ilir Metën, avokati i tij Genc Gjokutaj përsëriti edhe një herë se nuk ka prova për akuzat e SPAK-ut ndaj kreut të PL.
“Zero prova. Shkaku i izolimit të zotit Meta është çështja e sovranitetit dhe të gjitha denoncimet e korrupsionit galopant të kësaj qeverie që është sot në pushtet”, tha Gjokutaj në një deklaratë për mediat.
I pyetur nëse janë njoftuar nga Gjykata e Posaçme për datën kur do të zhvillohet seanca e vlerësimit të masës së sigurisë, Gjokutaj tha: “Deri në momentin që po flasim nuk ka njoftim. Ndoshta pasdite, ndoshta nesër. Do të jeni në dijeni”.
Në fund, ai zbuloi edhe një porosi që Meta i kishte lënë për t’ia komunikuar mediave.
“Ju inkurajon që të pasqyroni me transparencë të gjithë këtë proces, edhe tejet atyre që SPAK-u thotë, sepse qëllimi për të cilin zoti Meta është izoluar me tekstin që është shkruar në vendim, janë diametralisht të kundërta”, shtoi Gjokutaj.
Ilir Meta është arrestuar për “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim të të ardhurave”. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj deputetes Monika Kryemadhi, ish-gruas së tij, por ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje është lënë në “arrest shtëpie” Pirro Xhixho, babai i deputetes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho dhe në masën “detyrim paraqitjeje”, Ema Çoku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




