Politike

Akuzat e SPAK / Kryemadhi: Proces politik! Dumani nxorri sekretin hetimor. Çdo gjë për Ilir Metën e kam paguar unë!

Nga Gazeta ‘Si’-  Një ditë pas arrestimit të Ilir Metës dhe pas komunikimit të masës së sigurisë detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin, kjo e fundit në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit sot, ka akuzuar SPAK se procesi ndaj saj është politik për shkak të denoncimeve që ajo ka bërë për inceneratorët.

Ndërsa për të u caktua masa detyrim paraqitje, Kryemadhi deklaroi se nuk ishte e qetë mendërisht dhe shpirtërisht për të lexuar dosjen 167 faqe të vendimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj saj.

Kryemadhi u shpreh se kjo situatë ka filluar prej kohësh, por shtoi se tani ka ardhur “momenti që të sqarohemi”.

Prej kohësh jemi në këtë situatë, por ndoshta kur vjen ai momenti duhet të fillojmë të sqarohemi. Por më shumë për t’ju orientuar edhe ju gazetarëve për çdo dezinformim që shpërndahet.

Këtë komunikim me media nuk kisha ndërmend ta merrja sot, por pasi mora materialin nga Gjykata e vendimit të masës së sigurisë për mua prej 167 faqesh duhet ta lexoja me vëmendjen.

Nuk mund të them që isha shumë e qetë mendërisht dhe shpirtërisht për ta lexuar me detaje sepse do të gënjeja, por duke e parë me atë % të asimilimit që më ndihmonte për të kuptuar se çfarë ndodh”, u shpreh ajo në një konferencë për mediat”, tha Kryemadhi e cila shtoi se ajo i ka dorëzuar prokurorit të çështjes 5000 faqe për familjen e saj dhe 3000 faqe për nënën e saj.

Ajo e quajti masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si proces politik, ndërsa shtoi se erdhi pas denoncimit të saj për inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.

“Përveç korrektësisë sime e kam njoftuar dhe dërguar prokurorit të çështjes mbi 5 mijë faqe që nga viti 1995 të familjes sime, mamasë time dhe familjarëve të tij. Mamaja ime e ka pasur rreth 3 mijë faqe, ndërsa unë 5 mijë faqe. Që ka kur ka nisur procesi është një proces politik, ka ardhur nga denoncimi për inceneratorët e Elbasanit, Tiranës dhe Fierit”, vijoi Kryemadhi e cila tha se shumë familjarë të saj janë intimiduar.

“Indinjata ime dje erdhi pas deklaratës së SPAK kur për hir të së vërtetës kam menduar që qoftë edhe për shkak të këtij ambienti mosbesues ata duhet të ishin korrekt në marrëdhëniet që kanë të bëjnë me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Janë thirrur qindra njerëz familjarë dhe bashkëpunëtorë të mi. Janë rrëmbyer, janë zhveshur, të huaj dhe shqiptarë janë intimiduar, janë kërcënuar madje i është kërkuar që të bëjnë edhe deklarime të rreme.”

Akuzat për pastrim parash, sipas Kryemadhit janë fatura për operacione të shëndetit të fëmijëve, Metës dhe të saj, ndërsa mohoi operacionet plastike.

“Ndihem shumë e fyer që SPAK gënjen në deklaratën kur thotë 106 mijë euro. Në moshën 6 vjeç fëmija im është operuar dhe mjekët i kanë dhënë një javë jetë nëse nuk bëhej ndërhyrja. Ka bërë edhe dy ndërhyrje të tjera. Ka bërë edhe Ilir Meta një operacion shëndetësor në 2013 që nuk e ka paguar Llir meta por e kam paguar unë dhe Meta nuk e di. Ilir Meta nuk ka paguar në jetën e vet as një shishe ujë.

Kam paguar unë çdo gjë dhe çdo transaksion në shkollat e fëmijëve të mi, kam paguar unë dritat dhe ujin. Edhe rrogën e Ilir Metës e kam marrë unë në bankë. Ilir Meta është marrë vetëm me politikë”, deklaroi ajo.

Të më fali shumë Matilda Makoçi, Gregor Rama dhe Edi Rama, a e ka deklaruar Edi Rama operacionin e fëmijës së vet kur e ka pasur të sëmurë me kancer? Kush ia ka paguar, ku e ka bërë dhe si e ka bërë? A e ka hetuar SPAK këtë gjë? A do bëjë deklarat Altin Dumani, Sotir Kllapi  dhe Arben Kraja për hetimin e shërimit të Edi Ramës?

Nxjerr SPAK-u faturën 1800 euro të heqjes së një lipome të fëmijës tim. Nxjerr SPAK faturën e heqjes së qafës së mitrës që kisha unë me kancer dhe e thotë si operacion, duke nënkuptuar operacione plastike? Nuk kam bërë asnjë operacion plastik, po të bëja nuk kisha turp ta thoja”,-tha Monika Kryemadhi.

Ajo u shpreh se ajo dhe Ilir Meta e kanë arritur çdo gjë vetë.

“Nuk kanë shitur as trupin dhe as mendjen për të qenë xhelatët në duar të një grupi mafiozësh”, u shpreh ajo në një konferencë për mediat.

Por, Kryemadhi deklaroi se “do të kenë të gjithë parasysh një gjë karma is a b*tch”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë