Politike

Shoqëronte Metën në momentin e arrestimit, Peca: Vetëm u kërkoi mandatin e arrestit. Ata na terrorizuan

Nga Gazeta ‘Si’- Sekretari për çështje organizative në PL, Artemis Peca, i cili drejtonte dhe makinën ku udhëtonte Ilir Meta në momentin kur u arrestua, tregoi për gazetarët momentet e kësaj ngjarje që ai i quajti terrorizuese.

Peca tregon se 3 makina pa mjetet identifikimi i rrethuan, teksa shton se edhe në polici, drejtuesit ishin në ankth dhe nuk ndërmerrnin veprimet proceduriale pasi kishin frikë dhe prisnin urdhra nga lart.

“Ne po vinim drejt Tiranës dhe te Casa Italia u bllokua rruga. Pashë një makinë që po na afrohej dhe na e rrethuan makinën banditë me maska. U terrorizuam. Na thanë hajdeni me ne. Ne iu thamë kush jeni ju? Për momentin u trembëm, por kur e pashë që erdhi dhe policia na thanë që do të vini në Komisariat. Ata nuk bënin asgjë aty brenda, prisnin urdhra, vinin vërdallë, ishin në ankth, ushtronin presion ndaj meje. Janë njerëz të poshtër, polici kriminale e Dumanit, Edi Ramës, grupit të Sorosit”, tha Peca.

Deshmitari deklaroi se Ilir Meta nuk bëri rezistencë, por vetëm u kërkoi mandatin e arrestit agjenteve te veshur civil dhe me maska. Megjithatë, tha Artemis Peca, ata u nxorën me forcë nga mjeti.

“Zoti Meta nuk ishte me njeri tjetër dhe as eskortë. Ilir Meta nuk është frikacak. Nuk pati rezistencë. U tregua i sjellshëm. U kërkoi mandatin dhe ata në asnjë moment nuk e dëgjonin. Vetëm tërhiqnin me forcë. Më pyetën kush jeni ju. U thashë na tregoni kush jeni. Ne nuk treguan asnjë lloj rezistence”, tha Peca, i cili është dhe sekretar organizativ i PL-së.

I pyetur se pse Meta nuk kishte truproje me vete ose Gardën, ai u përgjigj duke thënë “sepse Meta nuk ka kryer asnjë krimin dhe nuk ka patur frikën. Garda nuk ka qenë sepse nuk ka patur dijeni ku ka qenë ish-presidenti i Republikës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë