Politike

‘Plarent Ndreca fshehu pasurinë’ / Këlliçi: SPAK t’i drejtohet menjëherë Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe mandatit te tij

Nga Gazeta ‘Si’- Anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi ka vazhduar me denoncimet e tij ndaj deputetit të PS-së, Plarent Ndreca.

Gjatë një deklarate nga selia e PD, Këlliçi deklaroi se, SPAK duhet t’i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit dhe të mandatit për Plarent Ndrecën.

Belind Këlliçi tha se në mars të vitit 2016, Plarent Ndreca themeloi kompaninë Domus Nostra, në bashkëpronësi me një shtetas tjetër, kompani në të cilën zotëronte 49% të aksioneve. Objekti i aktivitetit të kësaj kompanie, ndër të tjera ishte edhe ofrimi i shërbimeve për administratorët e bashkëpronësisë.

Sipas Këlliçit, Ndreca nuk ka deklaruar asnjë pasuri e as aktivitetet e kompanisë. Për rrjedhojë anëtarit të kryesisë së PD tha se SPAK duhet  t’i drejtohet menjëherë Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe mandatit te tij

Ky është denoncimi i dytë që Këlliçi ka bërë kundrejt Ndrecës pas atij të parit para disa ditësh ku denoncoi lidhjet e Ndrecës me inceneratorin e Tiranës ku sipas Këlliçit, Ndreca del në skenë përmes ortakut prej shumë vitesh në kompaninë e tij i cili rezulton i arrestuar dhe dënuar për krijimin e skemave mashtruese financiare.

Pas kësaj Ndreca në një status hodhi poshtë akuzat e Belind Këlliçit, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me inceneratorin e Tiranës.

Ndreca gjithashtu ka paralajmëruar se do ta padisë Këlliçin në SPAK për shpifje, ndërsa tha se do t’i bëjë kërkesë Ministrisë së Arsimit për “pavlefshmërinë e njësimit të diplomës tënde të lartë, kur nuk ke përfunduar shkollën e mesme”.

Gjithashtu ai deklaroi se kërkesë do t’i drejtojë dhe KQZ-së “që kandidatëve për deputet me tetë klasë shkollë t’ju verifikohet deklarata e pranimit në listat që do dorëzohen nga Partitë Politike”.

Deklarata e anëtarit të kryesisë së PD, Belind Këlliçi:

Siç ju bëmë me dije pak ditë më parë, Partia Demokratike do të bënte publike fakte të rënda penale në lidhje me ushtarin e mirë Plarent Ndreca.

Si pjesë e Trupës së Lartë Drejtuese e Shtetit Shqiptar që nga viti 2013, Plarent Ndreca ka detyrimin ligjor që të kryejë deklarimin periodik të pasurisë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ILDKPKI.

Në mars të vitit 2016, Plarent Ndreca themelon kompaninë Domus Nostra, në bashkëpronësi me një shtetas tjetër, kompani në të cilën zotëronte 49% të aksioneve. Objekti i aktivitetit të kësaj kompanie, ndër të tjera ishte edhe ofrimi i shërbimeve për administratorët e bashkëpronësisë.

E thënë më thjeshtë për qytetarët, kjo kompani do të bënte menaxhimin dhe trajnimin e administratorëve të pallateve, thënë ndryshe patronazhistëve të pallateve.

Pikërisht kur kreu i 5D Erion Veliaj nisi të projektonte dhe promovonte idenë e nevojës për administrimin e pallateve, çuditërisht krijohet edhe kompania Domus Nostra, e cila në kulmin e kësaj fushate sensibilizuese për këtë nevojë, liçensohet me vetë firmën e kreut të 5D Erion Veliaj. Deri këtu thjesht mund të lindë dyshimi për favorizim të këtij subjekti, i cili nuk deklaroi kurrë bilancet në QKB dhe në prill të vitit 2019 pezullon aktivitetin.

Por Grupi i Ekspertëve pranë PD ka investiguar edhe më tej. Sipas deklaratave të pasurisë të subjektit Plarent Ndreca, të cilat janë publike dhe mund ti aksesojë kushdo në faqen Open Spending Albania, në deklaratën e pasurisë të vitit 2016, Plarent Ndreca nuk deklaron aksionet e zotëruara në këtë kompani.

E njëjta situatë ndodh edhe për deklaratat e pasurisë të vitit 2017 dhe vitit 2018. Situate ndryshon në deklaratën e pasurisë para fillimit të detyrës së re, si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, në vitin 2019, ku Plarent Ndreca sipas dokumentit në ekran, i deklaron aksionet e kompanisë Domus Nostra duke sqaruar se tashmë subjekti ka pezulluar aktivitetin.

Fshehja e pasurisë është shkelje flagrante e ligjit. Fshehja e pasurisë është vepër penale, për të cilën sot dhe jo nesër, kolegët e Erionit në SPAK, duhet të tërheqin urgjentisht deklaratat e pasurisë së subjektit Plarent Ndreca në ILDKPKI.

SPAK duhet të administrojë dokumentacionin e dorëzuar për regjistrimin e subjektit Domus Nostra pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe pa vonuar të dërgojë në Kuvendin e Shqipërisë, kërkesën për heqjen e imunitetit dhe mandatit të ushtarit të mirë Plarent Ndreca.

Në përfundim të kësaj deklarate, kam një pyetje publike për Plarent Ndrecën. Cfarë të kujton prona me numër pasurie 523 e ndodhur në Jalë Vlorë?

I bëj një thirrje publike sërish kolegëve të Erionit në SPAK, që përtej poshtërimit dhe diskretitimit publik që u ka bërë kreu i 5D, të gjejnë kurajon për të zbatuar ligjin duke çuar para drejtësisë cilindo zyrtar, me apo pa imunitet politik, i cili ka shkelur ligjin dhe ka abuzuar me pushtetin.

Koha e përdorimit të drejtësisë si armë kundër opozitës duhet të marrë fund!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë