Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama ‘nxorri’ para pensionistëve ministrin e Ekonomisë Blendi Gonxhe dhe ministrin e Financave Petrit Malaj, për të folur për ndryshimet e reja mbi pensionet.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se ekonomia është momentalisht në një fazë të mirë dhe ka ardhur koha që këtë moment ta përjetojnë edhe pensionistët.
“Sot do të hapim një debat, diskutim publik me pensionistët lidhur me pensionet për të adresuar një detyrim dhe natyrisht edhe një kërkesë legjitime të vazhdueshme që në këtë fazë kur ekonomia jonë ka nisur të marrë formën e një ekonomie gjithëpërfshirëse, pensionistët të mos mbeten të papërfshirë në këtë rreth të zgjeruar të mundësive që ka krijuar ekonomia. Ndërkohë të tjerët kanë sot paga shumë më të larta se sa kishin kur ne filluam këtë përpjekje” u shpreh kreu i qeverisë.
Malaj dhe Gonxhe thanë se përveç se rishikimit të gjithë skemës së pensioneve, po diskutohet për një bonus të lartë gjatë fundvitit.
“Bashkë me ministrin Gonxhe jemi munduar të gjejmë një zgjidhje afatshkurtër dhe një afatgjatë. Zgjidhja afatshkurtër është një rritje substanciale në bonusin e fundvitit bazuar në performancën e ekonomisë, mënyrë për të lehtësuar barrën financiare të përditshme dhe zgjidhja afatgjatë është krijimi i një skeme të qëndrueshme pensioni”, tha ministri Malaj.
Pas tij fjalën e mori ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe i cili tha se pensionet kanë qenë shqetësimi kryesor që kur ai mori detyrën e ministrit. Gonxhe tha se për shkak të krizës së popullsisë dhe prishjes së skemës së kontributeve, u desh fillimisht rritja e pagave që më pas të rriteshin pensionet.
“Si shtresa më me eksperiencë dhe më e mençur ju e dini se lekët nuk bien nga qielli. Familjet lindin më pak fëmijë dhe jetëgjatësia. Raporti që kemi i të punësuarve me një pensionist është 1 me 1. Nga ana tjetër pa shtet ligjor nuk ka klimë të mirë biznesi, nuk ka rritje të ardhurash, nga të cilat duhet të marrim për të kompesuar pensionet e ulëta. Po punojmë fort dhe jemi ballëlartë që sot jemi më pranë se kurrë që jemi në kushtet për ta ndrequr edhe situatën e pensioneve që është një hall për ne madhor dhe për ju i përditshëm. Ne jemi shumë të angazhuar për debitorët ndaj sigurimeve shoqërore.
Rritja ekonomike na mundëson që të flasim për bonusin shumë më cilësor për pensionistët këtë fundvit. Kemi propozuar edhe ndryshime ligjore për njohjen e viteve të punës për kooperativat e para vitit 1994 dhe kjo do të ndihmojë rreth 40 mijë qytetarë çdo vit.
Po punojmë fort edhe për përmirësimin thelbësor të skemës së pensioneve siç është barazia mes profesioneve për pensione të njëjta, për rritjen e pensionit mesatar”, tha ministri.
Rama: Mosdeklarimi i pagave është vjedhje ndaj pensionistëve
Kryeministri Rama tha para pensionistëve se pensionet nuk janë vetëm çështje e qeverisë dhe buxhetit të shtetit, por e gjithë shoqërisë. Ai e quajti vjedhje të pensionistëve mosdeklarimin real të pagave.
“Pse pensionet janë pjesa më e vështirë për çdo shtet, merrni shtetit më të zhvilluar merrni, zgjidhni dhe do të shikoni që janë pjesa më e vështirë. Do të shpjegojmë vërtetësisht, nga ana tjetër do të përpiqemi të ndajmë edhe se pse kjo çështje nuk është e buxhetit të shtetit si arka e qeverisë, kjo është një çështje e përbashkët e qeverisë, e të gjitha atyre që në republikën e Shqipërisë fitojnë para.
Sepse çdokush që fiton para me një pagë sado të vogël, më një biznes të madh brenda atij fitimi ka detyrimin ligjor të japë atë që i takson pensionistëve përmes skemës, ne t’i rrisim kapacitetin për të pasur në vijim një rritje të arsyeshme të pensioneve, ne duhet patjetër të rrisim kontributet dhe të imponojmë këtë rritje për ata që më vjen keq ata them… që fitojnë për vete dhe vjedhin pensionistët, duke mos paguar sigurimet shoqërore”, u shpreh kryeministri.
Lidhur me këtë ai rikujtoi se qeveria do të vazhdojë të luftojë informalitetin dhe i bëri thirrje specifikisht ndërtuesve që të deklarojnë pagat reale të punonjësve pasi “nuk ekzistojnë punëtorë ndërtimi me 400-500 euro pagë”.
Kryeministri i tha pensionistëve që mos të shqetësohen nga rrogat e larta të deputetëve apo administratës pasi ata me paga më të larta janë kontribuesit kryesorë të skemës së pensioneve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.