Nga Gazeta Si- Mbledhja e sotme e Komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check-Up është shoqëruar sërish me debate të forta, pas rikthimit të opozitës.
Kanë qenë kryetarja Albana Vokshi dhe nënkryetarit socialist, Plarent Ndreca të cilët kanë debatuar me tone të larta me njëri-tjetrin, ku nuk kanë munguar as ndërhyrjet e deputetëve të tjerë.
Vokshi i cilësoi të paligjshme mbledhjet e fundit pa prezencën e tyre, pasi përfaqësuesit e maxhorancës kanë caktuar orare dhe emra dëshmitarësh, që janë dëgjuar pa vendosur Kryesia për mbledhjen.
Të majtët kanë njoftuar marrjen e dëshmive të fundit, duke pritur të mbyllin punën e komisionit hetimor ditën e nesërme me dëshminë e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, por demokratët kanë kundërshtuar.
Në emër të PD, Vokshi ka kërkuar zbatimin e Rregullores dhe është shprehur se pa marrë në pyetje kryeministrin Edi Rama si dëshmitar, ky komision hetimor nuk i mbyll punimet.
“Ky komision nuk mund të mbyllet pa dëshmuar edhe Edi Rama”, tha Vokshi duke kërkuar zgjatjen e afateve edhe me të paktën 3 javë.
“Zbatoni rregulloren, Kushtetutën, ligjin. Të shtyhet me 2-3 javë afati për Komisionin. Nuk është ezauruar lista e dëshmitarëve. Të bëjmë transparencë për koncesionet kriminale, abuzive. Ky komision nuk mund të mbyllet pa dëshminë e kryeministrit Edi Rama. Nuk po respektohet rregullorja, nuk janë respektuar dhe njoftuar oraret”, u shpreh Vokshi.
Edhe deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili kërkoi zgjatjen e afateve të komisionit. “Ka parregullsi shumë të mëdha. Nuk ka mundësi të mbyllet në datën 22, të mblidhet Kryesia dhe të diskutohet”, deklaroi ai.
Në krahun tjetër, Plarent Ndreca tha se opozita ka tentuar ta pengojë punën e komisionit dhe refuzoi kërkesën e Vokshit për Ramën si dëshmitar.
Sipas tij , kryeministri nuk mund të thirret, sepse nuk ka pasur vendimmarrje për koncesionet në Shëndetësi.
“Nëse ka një palë në këtë sallë që ka tentuar të pengoje komisionin është pala juaj. Keni penguar punën e komisionit me vendosjen e afateve. Për shkak se jemi shumicë dhe kemi përgjegjësi për të respektuar kushtetutën kemi treguar durim, edhe pse keni shkulur mikrofonat dhe jemi prekur fizikisht. Kryeministri s’ka firmosur në këto koncesione dhe kontrata sipërmarrëse. Nuk ka lidhje me çështjen dhe objektin e këtij Komisioni Hetimor, ndaj nuk mund të thirret për dëshmi. Po kështu edhe një prej emrave që ju përmendët si sipërmarrës, pasi nuk lidhet me koncesionet që kemi nën objekt”, tha Ndreca.
Në vijim ai shtoi se qëllimi i opozitës është ta pengojë zhvillimin normal të mbledhjes së Komisionit, ndërsa pranoi zhvillimin e mbledhjes së Kryesisë, por pa objekt diskutimi shtyrjen e afatit të punimeve që kërkoi opozita.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për Shëndetësinë do të dëshmonin ministrja aktuale e shëndetësisë Albana Koçiu si dhe dy ish ministrat Ogerta Manastirliu dhe Shkëlqim Cani, ish ministri i Financave por nuk arritën të dëshmonin për shkak të debateve.
Mbledhja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë është mbyllur, ku opozita pranoi mbledhjen e Kryesisë së Komisionit pas mosmarrëveshjeve për kalendarin, rendin e ditës, listën e dëshmitarëve dhe afatin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




