Nga Gazeta 'Si' - Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në një konferencë për media, ka deklaruar se kushdo që ka lejuar futjen e forcave speciale të policisë në ambientet e Kuvendit, do të mbajë përgjegjësi penale.
Bardhi deklaroi gjithashtu se sulm ndaj deputetëve të opozitës nga FNSH, nuk ka ndodhur kurrë në 34 vjet.
“Nuk u përgjigjem ushtarëve të bandave, përzgjedh të merrem me bandat. Ushtarët e tyre si ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, nuk janë në fokusin e punës time. Prokuroria e Posaçme është ngritur për këtë, për të luftuar korrupsionin dhe vjedhjet e shtetit, jo për të sulmuar deputetë e opozitës.
Është e pa ndodhur kurrë në 34 vite që të sulmohen deputetët nga FNSH në mjediset e Kuvendit. Ju siguroj se do të sjell përgjegjësi penale dhe ligjore për cilindo që ka lejuar futjen e forcave speciale të policisë në ambientet e kuvendit”, tha Bardhi.
Lidhur me hetimet për deputetët demokratë, ai u shpreh se është diçka e pritshme nga Ministria e Brendshme dhe Policia.
“Policia ishte ndjerë e kanosur nga një deputete femër (Elda Hoti). Degradimi në këto nivele i policisë dhe ministrisë së brendshme është i pritshëm sepse një polici që nuk lufton krimin e organizuar por merret me krimin e organizuar, do të merren me deputetet femra të opozitës”, shprehu Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.