Analize

Histori(ke)/ Shqipëria, rrugëtim i vështirë drejt Europës

Nga Gazeta 'Si' - Askush në rajonin e Ballkanit nuk e ka dashur dhe nuk e do Europën më shumë se shqiptarët.

Ne rrëzuam një sistem diktatorial komunist me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, por historia 33 vjeçare e marrëdhënies sonë me Bashkimin Europian është një histori e vështirë. Me një terren të vështirë shtetndërtues, me një stabilitet delikat politik, me zgjedhje të kontestuara, me institucione të dobëta dhe me një ekonomi jokonkurruese Shqipëria e ka humbur disa herë shansin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Veçanërisht në dekadën e fundit, edhe vetë Brukseli dhe vendet e anëtare nuk kanë patur dëshirë të zgjerohen. Fenomeni i quajtur “lodhja nga zgjerimi”, valët emigruese në vendet më të pasura të Bashkimit, e nxorën zgjerimin jashtë agjendës së prioriteteve të Bashkimit Europian. Deri dy vite më parë, kur Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën dhe lufta trokiti në dyert lindore të Europës. Askush nuk e fsheh më se po të mos ishte për agresionin rus, zyrtarët në Bruksel dhe vendet anëtare do ta kishin zvarritur edhe më shumë procesin me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, e cila pret prej 10 vitesh nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

Tani, vendet më skeptike, si Franca apo Hollanda, që kanë bllokuar më shumë se një herë Shqipërinë vetëm gjatë 10 viteve të fundit, sot mbajnë flamurin e zgjerimit të Unionit.

33 vite në pritje, një historik i shkurtër  

Një nga aktet e parë të Shqipërisë post komuniste ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Komunitetin Europian në Qershor të vitit 1991. Që prej atëherë, marrëdhëniet dypalëshe kanë njohur ulje-ngritjet e veta. Deri në vitin 2013, Bashkimi Europian ishte shumë më i hapur se sot për zgjerimin, por Shqipëria nuk përfitoi kurrë nga këto shanse, edhe pse, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri nuk pati as luftra etnike, as pushtim të huaj.

Pas vendosjes së marrëdhënieve me Brukselin, në vitin 1992 Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Tregtisë dhe Bashkëpunimit me Komunitetin Ekonomik Europian, siç quhej në atë kohë Unioni. Po atë vit, kjo marrëveshje, që strukturonte asistencën financiare europiane, hyri në fuqi. Kjo ishte një kohë, kur Komuniteti Europian nuk kishte plane për zgjerimin me Shqipërinë dhe ish Jugosllavinë në shpërbërje e sipër, përmes dhunës dhe luftrave. Me valën e katërt të zgjerimit në janar 1995 me Austrinë, Finlandën dhe Suedinë, Bashkimi Europian arriti në 15 vende anëtare, që mbulonin thuajse të gjithë Europën Perëndimore dhe në radhë pritje si vende kandidate ishin 11 shtete, kryesisht nga ish-vendet komuniste të Lindjes.

Për Shqipërinë, e dalë nga kaosi i armatosur i ‘97-ës me rënien e piramidave dhe për të tjerët në Ballkanin Perëndimor, të sapo dalë nga genocidi dhe luftrat etnike, drita jeshile për të nisur zyrtarisht rrugëtimin drejt Bashkimit Europian u hap në vitin 1999. Kjo ishte koha, kur Unioni nisi Procesin e Stabilizim-Asociimit, një kornizë për marrëdhëniet midis BE-së dhe vendeve në rajon, ku shprehej gatishmëria e BE-së për integrimin e plotë të Ballkanit.

Në këtë pesëvjeçar, nga 1999 deri në 2004-ën, kur ndodhi zgjerimi i pestë i BE-së me Qipron, Çekinë, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Maltën, Poloninë, Sllovakinë dhe Slloveninë, Shqipëria kaloi përmes krizash të rënda politike, me zgjedhje të kontestuara nga PD në opozitë me kryetar Sali Berishën, me një nivel alarmant të trafikut të qenieve njerëzore, kontrabandës dhe korrupsionit. Kjo ishte një periudhë, kur, Brukseli imponoi për herë të parë pas rrëzimit të diktaturës, zgjedhjen e një presidenti konsensual mes PS dhe PD, duke rrëzuar praktikisht legjitimitetin e rezultatit të zgjedhjeve 2001. Të paktën një nga Kriteret kyç të Kopenhagenit për institucione të qendrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut konsiderohej nga BE si jofunksional për Shqipërinë. Megjthëse në vitin 2001 Komisioni Europian rekomandoi nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, bisedimet për Marrëveshjen nisën vetëm në Janar 2003, pas konsensusit PS-PD.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE u firmos dhe hyri në fuqi në 2006-ën, vetëm pas rotacionit të qetë politik të 2005-ës. Por, mes konfliktesh politike për legjitimitetin e pushtetit, pa reforma domethënëse dhe me një korrupsion galopant, Shqipëria humbi një valë tjetër zgjerimi të BE, atë të vitit 2007, kur Bullgaria dhe Rumania u bënë pjesë e Bashkimit Europian. Kjo ishte koha, kur Bashkimi Europian kishte nisur të frenohej me zgjerimin. Kroacia, një vend i dalë nga konflikti i armatosur për pavarësi në 1995-ën, bëri reforma të mëdha, u shkëput nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe u anëtarësua në BE në vitin 2013, duke u bërë vendi i fundit që Bashkimi Europian ka pranuar në klubin e anëtarësimit.  Që nga 2006, kur firmosi MSA-në dhe deri në 2013-ën, Shqipëria pati vetëm një arritje të madhe. Liberalizimin e vizave me BE-në, një proces që e realizoi pa shumë vonesa dhe me vendosmëri.

Por çështjet e procesit të integrimit dhe anëtarësimit ngecën, si gjithmonë, në rrjetën e luftës së egër të brendshme politike. Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në prill 2009, po atë muaj, pak javë para zgjedhjeve, Shqipëria dorëzoi Aplikimin për Antërësimin në Bashkimin Europian. Procesi u stopua pothuajse për 4 vjet, sërish për shkak të kontenstimit të zgjedhjeve. Këtë herë nga PS e drejtuar nga Edi Rama. Opozita e atëhershme nuk votoi disa nga ligjet me shumicë të cilësuar votsh, të cilat ishin vendosur si kushte nga BE që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat.

Kur PS pranoi të votonte në dhjetor 2012, nuk mund të bëheshin më hapa përpara deri në zgjedhjet e vitit 2013, të cilat u vendosën kusht për marrjen e statusit. Pas zgjedhjeve, në tetor 2013, Komisioni i Rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, por kjo ishte koha kur Kroacia ishte anëtarësuar dhe Brukseli deklaroi se për të paktën 5 vjet nuk do të kishte zgjerim të BE-së, megjithëse dyert e saj mbeten të hapura. Në këtë periudhë, në qershor 2014 Shqipëria mori statusin e vendit kandidat, por, megjithë takimet e nivelit të lartë, nuk ndhi ndonjë përparim për nisjen e negociatave për anëtarësim.

Me kushtet e Gjermanisë për institucione demokratike, zgjedhje të lira e të ndershme, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe me votën kundër të Francës dhe Hollandës, në 2018 dhe 2019 Shqipërisë iu shty dy herë vendimi për të nisur negociatat e anëtarësimit. Në 2020-ën, me një metodologji të re për zgjerimin, BE mori kohë për të rishikuar vendimet për Ballkanin Perëndimor dhe, pavarësisht disa vendimeve pozitive, samiteve të nivelit të lartë, nuk bëri hapa konkretë për nisjen e negociatave, deri kur Rusia sulmoi Ukrainën, në 2022. Në korrik 2022, disa muaj pas nisjes së luftës, u zhvillua Konferenca e Parë Ndërqeveritare dhe gjatë kësaj kohe ndodhi procesi I shqyrtimit të legjislacionit shqiptar për gjashtë grupkapitujt, të cilët do të negociohen mes Brukselit dhe Tiranës.

S’ka kohë për shampanjë

Kur 6-7 vite më parë, Komisioni Europian rekomandoi, në mënyrë të përsëritur, nisjen e negociatave me Shqipërinë, në Tiranë, kryeministri Rama hapi dy herë shampanjën e festimeve. Sot, kur negociatat nisën realisht, shampanja mungoi. Kryeministri thotë me vendosmëri se do ta bëjë gati Shqipërinë për anëtarësim në vitin 2030 dhe, për këtë arsye, kërkon që të fitojë edhe një mandat të katërt qeverisës. Viti 2030 si një kohë e mundshme për një valë të re zgjerimi të BE u përmend për herë të parë vitin e kaluar nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michelle, por nuk do të jetë kaq e thjeshtë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nuk e ka në fokus datën.

Prioritet i Brukselit është që vendet kandidate të përgatiten siç duhet për anëtarësimin, ndëra data nuk është shqetësimi parësor. Në këtë moment të nisjes së bisedimeve, Shqipëria e sheh veten në garë me Malin e Zi, i cili është në punë e sipër me negociatat e anëtarësimit.

Duke mos e ditur nëse ky zgjim i Bashkimit Europian nga lufta në Ukrainë do të sjellë apo jo një një afat për zgjerimin, Shqipërisë i duhet të marrë një vendim të madh të rëndësishëm: të kryejë reformat, të mos bëhet më e keqja e vetes, me bllokime të pamerituara për shqiptarët, ku interesi partiak ka prevaluar shpeshherë mbi interesin kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë