Politike

PS nuk e lëshon Olta Xhaçkën, bllokon për herë të tretë dërgimin e mandatit të saj në Kushtetuese. Spiropali: Do t’i drejtohemi ‘Venecias’

Gazeta Si - Pas një seance maratonë, e cila përfundoi pas mesnatës, Kuvendi ka vendosur të mos dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Gjithsej 65 deputetë socialistë abstenuan, 9 votuan kundër dhe 25 deputetë të opozitës votuan pro.

Elisa Spiropali u përpoq të shfajësonte veprimin e maxhorancës duke u shprehur se Kuvendi ka ndjekur të gjithë procedurën kushtetuese dhe përballë kësaj situate, u shpreh se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë një opinion ligjor, një veprim të cilin socialistët e kishin paralajmëruar muaj më parë.

Kuvendi për herë të dytë radhazi refuzoi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila dy herë ishte shprehur me vendim duke nënvizuar se parlamenti është i detyruar të miratoje mocionin e 1/10 së deputetëve.

Sipas votimit, socialistët e shprehur me votë kundër janë Damian Gjiknuri, Bledar Çuçi, Jyrgis Çyrbja, Anduel Tahiraj, Paulin Sterkaj, Petro Koçi, Shkelqim Bullari, Bujar Çela dhe Klodiana Spahiu. Vetë Olta Xhaçka ishte në sallë gjatë momentit të votimit, por nuk mori pjesë në të.

Sipas opozitës, Xhaçka është në konflikt interesi, duke qenë se bashkëshorti i saj, ish deputeti socialist Artan Gaçi, kishte përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut.

Ndërkohë që vetë Xhaçka ka këmbëngulur se ajo nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, dhe se statusi që ka përfituar bashkëshorti i saj nuk parashikon që diçka e tillë të ndodhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë