Politike

Mandati i Xhaçkës/ Ambasada Amerikane pas vendimit të Kuvendit: Shpërfillën vendimin e Kushtetueses, të respektohet ligji

Nga Gazeta 'Si'-Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar pasi vota e deputetëve socialistë pengoi për herë të tretë kalimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të ish-Ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

Në një reagim zyrtar Ambasada shprehet se ndan të njëjtin shqetësim me delegacionin e BE, lidhur me vendimin e Kuvendit ditën e djeshme, duke thënë se shpërfillën vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ambasada thekson se Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë ligjet, vendimet e gjykatave dhe kushtetutën, për të siguruar një sistem demokratik të shëndetshëm.

“Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Europian lidhur me vendimin e Parlamentit të Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Siç vërejti kohët e fundit Kryetarja e Parlamentit, marrja e hapave të nevojshme për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është përgjegjësi qendrore e Parlamentit dhe është gjithashtu jetike për ndarjen e pushteteve. Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë rregullat, ligjet, vendimet e gjykatave dhe kushtetutën – të gjitha të cilat janë aty për të siguruar që sistemi demokratik është i shëndetshëm dhe lulëzon”, thuhet në reagim.

Më herët, delegacioni i BE në një reagim zyrtar, u shpreh se ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur dhe se Kuvendi duhet të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë