Politike

Protesta para Bashkisë Tiranë / Blushi: Koha të përshkallëzojmë aksionin opozitar

Nga Gazeta Si- U mbajt sot para Bashkisë së Tiranës protesta e 22 në lidhje me dosjen “5D”. Protesta ka zgjatur rreth 1 orë ndërkohë që anëtarët e Partisë Demokratike kanë paralajmëruar vijim dhe përshkallëzim të protestës.

Anëtari i Këshillit Bashkiak Tedi Blushi, ka deklaruar se ka ardhur koha që të përshkallëzohet aksioni opozitar, duke propozuar që të fillojnë protestat para shtëpisë së kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

“Prej 3 mandatesh ky institucion është kthyer në bankomat të atyre që duhet të ishin pas hekurave.

Koha që të përshkallëzojmë protestën dhe aksionin opozitar. Të protestojmë para shtëpisë së Veliajt e të mos e lëmë të dalë”, tha ai.

Kujtojmë se opozita së bashku me Aleancën për mbrojtjen e Teatrit protestojnë prej muajsh cdo javë para bashkisë duke kërkuar dorëheqjen e Veliajt si i përfshirë në dosjen 5D.

Ndërkohë Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së PD-së, duke folur nga protesta tha se as ndërkombëtarët nuk reagojnë kur shohin skandalet dhe vjedhjet.

“Unë jam një djalë që jam rritur në këtë qytet, që jam shkolluar në perëndim, por ca të vërteta duhen thënë, sepse për këto skandalet dhe vjedhjet për heshtjen e SPAK dhe prokurorëve të tij, nuk flasin as ndërkombëtarët. Ndërkombëtaret nuk thonë të vërtetën kur vijnë këtu dhe një pjesë e tyre janë të blerë”, tha Këlliçi, duke shtuar se protestat do të vijojnë dhe në shtator e tetor ku "protestuesit do i rrisin temperaturat".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë