Politike

Teliti: Deficiti tregtar u rrit me 23.6 % gjatë 7 muajve të parë të vitit

Këshilltari për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike dhe nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti deklaroi sot se, “të dhënat e fundit zyrtare të vetë qeverisë mbi shëndetin e sipërmarrjes, sidomos asaj prodhuese, janë dramatike”.

“Sipas INSTAT-it qeveritar, 7-mujori i këtij viti shënon një rekord të ri të mbrapshtë keqqeverisje. Eksportet shqiptare pësuan një rënie të ndjeshme, duke u ulur me 14.5%, ndërkohë që të fituar kanë dalë ‘miqtë importues’ pasi importet rezultojnë me rritje, konkretisht 3.2%. Deficiti tregtar u rrit me 23.6% gjatë 7 muajve të parë të vitit, tregues ky i qartë i dobësimit të pozicionit tregtar të ekonomisë dhe prodhuesve shqiptarë krahasuar me vendet dhe konkurrentët në rajon e më gjerë”, tha Teliti.

Sipas tij, arsyet janë disa, por të lidhura drejtpërsëdrejti me qeverinë dhe politikat e saj.

Teliti theksoi se, “shfuqizimi i euros i shkaktuar nga faktorë kryesisht jo ligjor që lidhen me pastrimin e miliarda eurove të krimit dhe korrupsionit, mungesa e një pakete ndihme direkte për prodhuesit duke i lënë ata në mëshirë të fatit, barra e lartë fiskale që mbretëron në vend prej 11 vitesh, mungesa e fuqisë punëtore si pasojë e shpopullimit masiv, etj., janë disa prej faktorëve të cilët kanë shkaktuar dhe sjellë këtë përfundim të hidhur për ekonominë dhe prodhuesit vendas”.

Teliti nënvizoi se, Partia Demokratike e ka të qartë vizionin për ringritjen e ekonomisë.

“Pas zgjedhjeve të lira e të ndershme të organizuara nga një qeveri teknike, me ardhjen në drejtim të punëve, qeverisja e vogël, por eficiente, e cila vendos në qendër qytetarin dhe sipërmarrjen, me taksat më të ulta në rajon, me paketa mbështetëse direkte aty ku nevojitet dhe kur nevojitet, me një kuadër të rishikuar për t’u rikthyer lider në thithjen e investimeve të huaja direkte, me masa konkrete për rikthimin e shqiptarëve ne vend, etj., do të jenë instrumentet që do të ringrejnë ekonominë tonë duke e futur atë në shinat e zhvillimit, rritjen e produktivitetit dhe pagave, hapjes së vendeve të punës, rritjen e mirëqenies”, tha ai./ata


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë